Stacionet e pastrimit pastrojnë fekale, por vjet i “frynë” edhe faturat e rrymës së komunave
Më pak se gjysma e komunave në Maqedoni kanë ndërtuar stacione pastrimit për ujërat e zeza (SPUZ), ndërsa ato ekzistuese vitin e kaluar u përballën me vështirësi të mëdha në punë për shkak të furnizimit me energji elektrike në tregun e lirë. Ndërmarrjet publike komunale mezi arritën që të përballojnë faturat mujore të rrymës, ndërsa qeveria në fund të vitit vendosi që ato t’i kthejë në tregun e rregulluar për furnizim me energji elektrike të subvencionuar me çmim prej 95 euro për megavat orë, raporton Portalb.mk.
Një nga stacionet e pastrimit më të vjetër dhe më të mëdhenj në vend është ai i Kumanovës, me të cilin menaxhon NP “Ujësjellësi” nga Kumanova. Stacioni i pastrimit në Kumanovë në vitin 2022 ka arritur të pastrojë 7.150.000 metra kub ujë, që është në kuadër të mesatares shumëvjeçare për punën e këtij objekti infrastrukturor.
Megjithatë, nga NP “Ujësjellësi” – Kumanovë për Meta.mk thonë se problemi më i madh në vitin e kaluar ka qenë rritja e çmimit të energjisë elektrikë.
“NP “Ujësjellësi” Kumanovë për vitin 2022 ka gjithsej energji elektrike të shpenzuar në vlerë prej 75.520.001,00 denarësh, nga të cilat 30.415.196,00 denarë janë shpenzuar për funksionimin e SPUZ-ve, ndërsa për vitin 2021 ka gjithsej energji elektrike të shpenzuar në vlerë prej 18.048.689,00 denarësh, prej të cilave 7.363.875,00 denarë janë shpenzuar për funksionimin e SPUZ-ve”, thonë nga ndërmarrja publike e Kumanovës.
Kjo praktikisht domethënë se faturat e energjisë elektrike të kësaj ndërmarrjeje publike janë rritur për më shumë se katër herë në periudhë prej një viti, me çka furnizimi me rrymë i stacionit pastrues të Kumanovës ka marrë pjesë me rreth 40 përqind nga shpenzimet e përgjithshme për rrymë që i ka pasur NP “Ujësjellësi” – Kumanovë gjatë vitit 2022.
Nga NP “Ujësjellësi” – Kumanovë sqarojnë se në tre vitet e kaluara kanë shpenzuar mjete vetanake financiare në lartësi prej rreth 10,2 milionë denarësh për servisimin e pompave kryesore zhytëse, rrjetë të imët për mbeturina mekanike, pompa për mill, elektropajisje (trafo të tensionit të lartë, matës të përçueshmërisë), aeratorë të sipërfaqes në biobazene dhe pjesë më e imët e elektromakinerike.
Edhe stacioni i pastrimit në Prilep, me të cilin menaxhon NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Prilep, në vitin 2022 ka pasur gjithsej energji elektrike të harxhuar prej mbi 1.270.944 kilovat/orë sipas gjendjes së orëmatësit. Stacioni i pastrimit për nevojat vetanake ka arritur që vitin e kaluar të prodhojë energji elektrike prej 97.222 kilovat/orës, por sasitë e mbetura të rrymës ka qenë i detyruar t’i furnizojë në tregun e lirë deri në vendimin e Qeverisë për kthimin e ndërmarrjeve publike komunale në tregun e rregulluar.
Stacioni i pastrimit në Prilep prodhon energji elekrike nga bio gazi, por deri tani këto janë vetëm sasi të vogla nga energjia e nevojshme elektrike për funksionimin e tij normal. Ngjashëm me objektin e Kumanovës, edhe në rastin e Prilepit në vitin 2022 ka pasur të dhëna të ndryshme për funksionimin normal të objektit infrastrukturor që i pastron ujërat e zeza të kësaj komune.
Kështu, vjet është kryer blerja e një akumulatori të ri për nevojat e gjeneratorit, është kryer prokurim publik për servisim të gjeneratorit dhe dizel agregatit, është shpallur prokurim për servisimin e kompresorëve për aeracion, është shpallur tender për prokurim të reagjensëve të domosdoshme për punën e laboratorit, ndërsa nga dokumentacioni që na e dërgoi NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Prilep arritëm të bindemi se kanë pasur edhe një sërë aktivitetesh tjera pune për mbajtjen në funksion të stacionit të pastrimit.
Për funksionimin e rregullt të stacioneve të pastrimit të ujërave të zeza në vend, qytetarët dhe kompanitë paguajnë nëpërmjet faturave mujore që i pranojnë nga ndërmarrjet publike. Kështu, në Prilep NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” nga shfrytëzuesit arkëton nga 17,35 për kubik të shërbimit të pastrimit të ujërave të zeza, ndërsa NP “Ujësjellës” Kumanovë arkëton nga 10,81 denarë për kubik nga faturat mujore për shërbimin “pastrimi i ujërave të zeza”.
Nga Komisioni rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujit, për Meta.mk informojnë se ndërmarrjet publike komunale, si dhe dhënësit e shërbimeve të ujit, në pajtim me Ligjin për përcaktimin e çmimeve të shërbimeve,a janë të obliguara një herë në vit të dorëzojnë raport vjetor për punën e tyre, me çka KRRESHU i përcakton tarifat për pastrimin e ujërave të zeza.
Përndryshe, vjet në disa raste nga ana e Shoqatës së dhënësve të shërbimeve komunale ADKOM reaguan se ndërmarrjet publike komunale gjenden para falimentimit, për shkak se ishin të detyruara të furnizohen me rrymë në tregun e lirë. Pas disa reagimeve nga ana e tyre, kryeministri Dimitar Kovaçevski në fillim të nëntorit të vitit 2022 deklaroi se ndërmarrjet e ekonomisë së ujërave furnizohen me energji elektrike me çmim prej 95 euro për megavat/orë, e cila do të jetë e dedikuar vetëm për objektet e prodhimit, pompat për furnizim me ujë dhe për stacionet e pastrimit.
Pastrohen vetëm një e treta e ujërave të zeza
Përkundër problemeve aktuale me të cilat përballen stacionet e pastrimit në funksionimin e tyre, të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se madje 62 përqind e ujërave të zeza që i kan lëshuar amvisëritë dhe kompanitë në vitin 2021 kanë përfunduar si të papastruara nëpër lumenj, liqene dhe ujëra nëntokësorë ne vend. Sipas këtyre të dhënave, vetë, 38 përqind të fekaleve të krijuara në vitin 2021 janë pastruar me stacione adekuate për trajtimin e tyre. Të dhënat nga Komisioni rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujit për vitin 2021 flasin se vetëm 18 nga gjithsej 80 komuna të Maqedonisë kanë realizuar pastrim të ujërave të zeza nepërmjet objekteve infrastrukturore – stacioneve. Ndër komunat që e ofrojnë shërbimin e pastrimit të ujërave fekale janë komunat: Sveti Nikole, Berovë, Koçan, Strugë, Kërçovë, Gjevgjeli, Strumicë, Radovish, Prilep, Resnjë, Kumanovë, Shkup, Makedonski Brod, Dojran, Çuçer Sandevo, Karbinci, Çeshinovo-Obleshevo dhe Krivogashtan.
Megjithatë, në periudhën në vijim Maqedonia ka për obligim t’i përfundojë procedurat e tenderimit për ndërtimin e stacioneve të pastrimit në Shkup, Tetovë dhe Manastirit. Stacioni i pastrimit në Shkup është para fazës finale të përzgjedhjes së realizuesit të ndërtimit të tij, tenderi për ndërtimin e stacionit të pastrimit në Manastir tashmë është shpallur, ndërsa thirrja ndërkombëtare për përzgjedhjen e realizuesit për stacionin e pastrimit në Tetovë duhet të shpallet në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti.
Komisioni Evropian në Raportin e fundit për progresin e reformave në vend për vitin 2022, në kapitullin e mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike, në lidhje me menaxhimin e cilësisë së ujit thekson se pajtueshmëria me të drejtën e BE-së vazhdon. Aty shënohet se është arritur një progres i kufizuar drejt implementimit dhe aplikimit të legjislaturës ekzistuese për menaxhimin me ujërat, ndërsa Kadastra e ujërave sipërfaqësorë është në fazë finale të përpilimit. “Qeveria e ka përfshirë vendosjen e infrastrukturës për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza si një nga masat për reforma infrastrukturore në Programin për reforma ekonomike për periudhën 2022-2024. Shpejtësia e përpilimit dhe realizimit të projekteve të tjera ekonomike mbetet sfidë”, shënohet në Raportin e Komisionit Evropian në pjesën e menaxhimit të cilësisë së ujërave në vend.
Përndryshe, organizatat joqeveritare të Maqedonisë tashmë kanë paralajmëruar se pikërisht për zbatimin e direktivës së BE-së për ujërat e zeza urbane do të nevojiten financa të jashtëzakonshme të cilat Maqedonia duhet ti investojë, nëse dëshiron që të bëhet vend anëtar i BE-së. Deri në vitin 2042 vendit do ti nevojiten deri në 1,2 miliardë euro, me të cilat do të mundësohet që e gjithë popullata të jetë e mbuluar me sistem për trajtimin e ujërave të zeza. Kjo gjë u përmend në pjesën e menaxhimit me cilësinë e ujërave në trajnimin dy ditor për ndjekjen e progresit në zbatimin e nënkaptinave nga Kaptina 27 – Ambienti jetësor dhe klima, që u mbajt nën organizimin e Qendrës për ndryshime klimatike në nëntor të vitit të kaluar.