FOTO LAJM: Si duket Qendra e parë Kulturore Studentore në vend?

Studentët në universitetin më të madh në vend, “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup nesër do të bëhen me hapësirën e tyre të re ku do mund të shoqërohen, të punojnë, të mësojnë dhe të argëtohen. Këtë fundjavë hapet Qendra Kulturore Studentore (QKS), e para e këtij lloji në vend, e vendosur në pallatin “Kuzman” pranë konviktit të studentëve “Kuzman Josifovski – Pitu”.

Kjo hapësirë multifunksionale ka disa muaj që po përgatitet dhe të rinjtë këtu do të kenë mundësinë të punojnë dhe të mësojnë, por edhe të shijojnë një program të pasur kulturor të krijuar nga vetë studentët e UKM-së, të cilët do të menaxhojnë me qendrën në përputhje me programin, veprimin dhe nevojat e tyre.

Pajisjet dhe hapësirën e QKS-së do të mund t’i përdorin të gjithë studentët, pavarësisht se në cilin fakultet studiojnë.

“Ideja është që Qendra Kulturore Studentore të jetë vendi i ri ku studentët do mund të punojnë së bashku, të studiojnë, të lidhen, të shoqërohen. Ideja e Qendrës Kulturore është që të ofrojë më shumë hapësirë ​​për muzikantët dhe artistët e rinj, domethënë për të gjithë estradën e re që vjen e që duhet të jetë një avantgardë muzikore në qytet. Mendoj se hapësira të këtilla mungojnë, ndërsa nevoja e të rinjve dhe studentëve për hapësira të tilla është e madhe. Qendra Kulturore Studentore është një gjë e duhur që vjen në kohën e duhur për studentët” tha Sllavço Temellkovski, kryetar i Parlamentit Studentor pranë UKM-së (PSU UKM), organizata projekt i së cilës është QKS-ja.

Sa i përket eventeve, QKS-ja jo vetëm që do jetë një vend i hapur për të gjithë studentët, por ajo do jetë e hapur edhe për të gjitha organizatat në kuadër të UKM-së, pra për të gjitha parlamentet e fakulteteve për të organizuar evente, punëtori, ekspozita, prezantime dhe shfaqje të filmave.

Zgjidhja arkitektonike ideore për Qendrën Kulturore Studentore është e ish –studenteve të Fakultetit të Arkitekturës në Shkup, Elena Nasteska dhe Maja Poposka. Zgjidhja e tyre fitoi konkursin e shpallur nga Parlamenti Universitar.

Përndryshe, qendrat kulturore studentore në vendet e rajonit funksionojnë tashmë për dekada me radhë. Në Serbi ka disa që janë të vendosura në pothuajse të gjitha qytetet kryesore ku ka fakultete. Më e vjetra midis tyre, ajo në Beograd, është hapur më shumë se pesë dekada më parë, në vitin 1971.

Të rinjve në Shkup u mungon një vend i tillë, tha ish kryetarja e PSU UKM Eva Cvetkovska në një intervistë për Meta.Mk. Qendra Kulturore Studentore ishte pikërisht ideja e saj dhe një nga projektet kryesore gjatë mandatit të saj njëvjeçar. Ajo mendon se oferta kulturore në kryeqytet po përmirësohet, por mbetet e pamjaftueshme.

“Shkupi ka filluar të ofrojë një program më të mirë kulturor, por jo aq sa duhet. Dhe ai ekzistues nuk është i hapur sa duhet dhe i qasshëm për të gjithë. Ka shumë nisma kulturore, Qendra Kulturore Rinore (QKR) viteve të fundit me të vërtetë ofron një super program kulturor për të rinjtë, shumë të rinj i bashkojnë fuqitë dhe njohuritë e tyre për një program muzikor sa më të mirë në lokale dhe diskoteka, por ajo që mungon është një hapësirë ​​e sigurt dhe e qasshme të cilën do mund ta shfrytëzojnë të gjithë të rinjtë. Ideja jonë është që QKS të jetë pikërisht e tillë”, thotë Cvetkovska.

Hapja e Qendrës Kulturore Studentore në Shkup do të bëhet të shtunën në 20:30, me një program muzikor dhe ekspozitë të studentëve nga Fakulteti i Arteve të Bukura.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button