Duke ikur nga tanket ruse dizenjatorja ukrainase Elizaveta shpëtimin e gjeti në Shkup

Dizenjatorja e re Elizaveta Matjushenko është një nga refugjatët ukrainas e cila shpëtimin nga tanket dhe granatat ruse e ka gjetur këtu në Maqedoni. Motra e saj ka gjetur strehim në Bullgari, ndërsa Elisaveta me një pjesë të familjes jeton në Shkup sepse këtu jeton një mikeshë e saj bashkëshorti i së cilës  është maqedonas, shkruan Meta.mk.

“Unë jam nga Ukraina, nga një fshat i vogël në afërsi të Harkivit pranë kufirit me Rusinë. Një nga shtëpitë tona u shkatërrua nga sulmet ruse. Ne u larguam nga Harkivi dhe një kohë kaluam në Lviv. Dukej si një vend i sigurt. Por gjithë kohën kishte alarme për shkak të sulmeve ajrore dhe kjo na ngjallte shqetësim. Tërë kohën mendonim se si të shkonim jashtë shtetit, tek mikesha ime në Maqedoni. Mendimi im i fundit ishte se si ta shpëtoj gjyshen time”, tregon Elisaveta për Meta.mk.

Duke i parë fotografitë e shtëpisë së shkatërruar në të cilën ka jetuar dhe duke i përkujtuar ato ngjarje të tmerrshme, ajo thotë se po të mos ia kishin dalë mbanë të largohen nga Ukraina, me siguri do ishin vrarë. Një nga granatat ka rënë pikërisht sipër krevatit të gjyshes së saj. Dhe përderisa tanket kanë shkelur kujtimet e saj, Elisaveta ia ka dalë mbanë ta shpëtojë gjyshen e saj, por edhe njerkun  dhe gjyshin e saj nga tmerri që kanë përjetuar. Këtu jeton me shpresë se edhe babai i saj do ta mbijetojë luftën.

This slideshow requires JavaScript.

“Babai im është afër Lvivit, shpresoj të jetë në një vend të sigurt. Por, nuk mendoj se është aq i sigurt, sepse tani në Ukrainë nuk ka vend të sigurt”, thotë dizenjatorja  e re.

Pas mbërritjes në Maqedoni, Elizavetës iu desh të bënte një betejë të re. Për të mos qenë e varur vetëm nga ndihma e miqve të saj, përveç shitjes së dizajneve të saj përmes platformave të ndryshme si Shutterstock, ajo ia ka dalë mbanë të gjejë një punë honorare. Mirëpo, për shkak të statusit të saj të qëndrimit në vend, ajo nuk mund të jetë e sigurt se do të ketë një kontratë afatgjatë. Për momentin ajo  bën ilustrime për libra për fëmijë, ka dizajnuar edhe bexhat për Etno Klubin e Institutit të Etnologjisë dhe Antropologjisë, si dhe punon edhe dizajnime për organizatën ekologjike “Eko Svest”.

“Siç thashë, bashkëshorti i mikeshës time është maqedonas dhe ai na mbështet shumë. Dhe e gjithë familja e tij na mbështet. Ndërsa motra e tij është profesoreshë këtu, prandaj e kam këtë lidhje me popullatën lokale. Kjo është shumë mirë për trurin, për mendjen, të dal diku dhe të bëj pak punë këtu”, tha Elisaveta.

Elizaveta shpreson që së shpejti autoritetet maqedonase, përfaqësuesit e të cilëve kanë qenë disa herë deri më tani në Ukrainë për ta shprehur mbështetjen e tyre, do të gjejnë një zgjidhje për qasje në kujdes shëndetësor për ukrainasit që ndodhen në vendin tonë, qasje në arsim për fëmijët ukrainas , si dhe qasje në punë për ukrainasit e zhvendosur përkohësisht.

Pikërisht për këtë temë në qershor të vitit të kaluar ministrja e punës dhe politikës sociale u takua me anëtarë të Shoqatës së ukrainasve në Maqedoni. Por, nga ajo kohë e deri më tani janë bërë shumë pak ndryshime. Kryetari i shoqatës “Lesja Ukrainka” ende pret zgjidhje konkrete.

“Karta e identitetit e lëshuar për arsye humanitare për qytetarët ukrainas këtu nuk u mundëson atyre trajtim mjekësor, edukim dhe me atë ata nuk kanë të drejtë të punojnë. Kjo do të thotë se për një vit, aq sa zgjat vlefshmëria e dokumentit, ata trajtohen si turistë. Për këto arsye shumë ukrainas nuk qëndruan këtu dhe u detyruan të shpërngulen në vende të tjera”, tha Urbanoviç për Meta.mk.

Mesazh të ngjashëm përcolli edhe nga sheshi Maqedonia ku ukrainasit u mblodhën në miting me rastin e përvjetorit të fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Invazioni rus ndaj Ukrainës i cili po zgjat tashmë plot një vjet shkaktoi krizën më të rëndë të refugjatëve në Evropë që nga fundi i luftës së dytë botërore. Dëmet mendohet se kanë arritur në qindra miliardë dollarë, ndërkohë që janë shkatërruar një numër shumë i madh i qyteteve dhe vendbanimeve.  Deri më tani, sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët (UNHCR) në vendet evropiane janë evidentuar mbi 8 milionë refugjatë nga Ukraina, ndërkohë që 5 milionë kërkojnë mbrojtje të përkohshme ose përdorin mekanizma të tjera për mbrojtje në Evropë.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, një numër i madh i personave të regjistruar në mesin e atij numri aq të madh që kanë pasur nevojë për ndihmë humanitare nga fillimi i krizës janë me arsim të lartë.  Në mesin e tyre ka profesionistë të IT-së, punonjës shëndetësorë dhe gazetarë.

Numri më i madh i refugjatëve fillimisht shpëtim nga granatimet ruse kërkuan në Poloni. Një numër i madh shkuan në Gjermani, por edhe në vende të tjera evropiane. Sipas të dhënave të UNHCR-së, në vendin tonë shpëtim kanë kërkuar 6,483 ukrainas. Deri më 27 janar të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme u ka miratuar qëndrim të përkohshëm për shkaqe humanitare 387 personave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button