Qindra nacionalistë serbë me flamur rus protestuan në Beograd kundër bisedimeve të normalizimit me Kosovën (VIDEO)

Qindra nacionalistë serbë mbrëmë u mblodhën në kryeqytetin Beograd duke kërkuar që qeveria e vendit të refuzojë planin e Perëndimit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe tërheqjen nga negociatat, raporton Anadolu.

Protestuesit u mblodhën para ndërtesës së presidencës duke mbajtur pankarta me mbishkrime “Kosova është zemra e Serbisë”, “Nuk dorëzohemi” dhe “Tradhtia ndaj Kosovës është tradhti ndaj Rusisë”.

Ata bllokuan trafikun dhe në një pikë rrëzuan gardhin metalik pranë presidencës dhe iu afruan ndërtesës duke bërtitur “Ku është Vuçiq?”.

Më pas, ata hodhën vezë në dritaret e presidencës dhe kërcënonin jetën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, para se policia të arrestonte disa prej tyre.

Kërkesa e tyre kryesore ishte që Vuçiq të tërhiqet nga negociatat mbi Kosovën me vendet perëndimore dhe të mos formohet Asociacioni i komunave serbe.

Duke folur në një kanal televiziv lokal, presidenti Vuçiq tha se protestuesit bënë thirrje për dhunë dhe pyeti çfarë donte të thotë Damjan Knezeviç i ultra-nacionalistëve të Patrullës Popullore kur iu drejtua qeverisë me fjalët: “Ju keni frikë nga trazirat. Ju betohem, jemi gati për më shumë se kaq”.

“A mendoni vërtet se është e mundur, mendoni se nuk do të ketë përgjigje për këtë? Shteti do të reagojë me shumë efikasitet, shumë shpejt, shumë seriozisht dhe me shumë përgjegjësi”, tha Vuçiq, duke akuzuar protestuesit se janë anti-serb dhe marrin financim dhe mbështetje nga një “vend i huaj”.

Presidenti serb shtoi se të gjithë ata që e kërcënuan se do ta vrasin dhe që premtuan trazira nëse Beogradi përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën, do të mbahen përgjegjës në përputhje me ligjin.

“Ata që mendojnë se mund ta rrëzojnë Serbinë me të pavërteta, me gënjeshtrat e tyre brutale, ata që mendojnë se mund ta rrëzojnë një shtet serioz me kërcënime, me pak armë, me lidhjet e tyre që kanë në ndonjë vend të huaj, me mbështetjen që marrin në para, kryesisht me para të gatshme nga disa të huaj dhe duke e justifikuar atë me patriotizëm të madh dhe ndonëse bëjnë shumë të mira për vendin e tyre… ata kurrë nuk mund ta mposhtin Serbinë”, tha Vuçiq.

Prokurori i lartë publik i Beogradit, Nenad Stefanoviq, tha se të gjithë ata që kërcënojnë bartësit e posteve më të larta shtetërore dhe të gjithë anëtarët e grupeve ekstremiste që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, do të ndiqen penalisht.

Ndërkohë, siç konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme për mediat, një tjetër anëtar i grupit ultra të djathtë “Patrulla e Popullit”, Dejan Boboçek, është arrestuar dhe i është gjetur një pushkë me pamje optike dhe municion në Novi Sad.

– Procesi i dialogut Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian (BE) kërkon që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare që mund të zgjidhë çështjet mes dy vendeve për përparim në procesin e tyre të integrimit me bllokun evropian.

Së fundmi, palët kanë negociuar mbi atë që njihet gjerësisht si “propozimi franko-gjerman”,

Në muajin tetor, Vuçiq tha se Gjermania dhe Franca ofruan për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE nëse ajo njeh pavarësinë e Kosovës dhe e lejon anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Sipas propozimit, Kosova nga ana e saj duhet të lejojë edhe formimin e Asociacionit të komunave serbe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button