Qyteti Erzin nuk ka viktima dhe ndërtesa të rrënuara nga tërmeti pasi kryetari nuk lejoi ndërtimet pa leje

Vdekja dhe shkatërrimi rrethojnë Erzinin, por ky qytet i vogël në provincën jugore të Hatayt të Turqisë është një oaz sigurie dhe normaliteti pasi rajoni merret me pasojat e tërmetit shkatërrues që mori më shumë se 41,000 jetë në Turqi dhe Siri, transmeton Portalb.mk nga SDK.

Banorët dhe zyrtarët thonë se në Erzin nuk ka pasur viktima apo objekte të shembura pas tërmetit të fuqishëm 7.8 ballë, edhe pse ndodhet qindra kilometra larg epiqendrës së tij.

Sipas gazetës turke “Hurriyet”, kjo për shkak të aktiviteteve kufizuese të kryetarit të komunës, Ekesh Elmasoglu, i cili nuk ka lejuar që të shkelen standardet e vlefshme në ndërtim.

Në të gjithë qytetin me 42 mijë banorë janë dëmtuar vetëm disa shtëpi familjare dhe xhami. Shkalla e shkatërrimit është gjithashtu e vogël, sepse shumica e ndërtesave të banimit janë katër kate, dhe ndërtesat më të larta kanë pesë kate.

“Unë në asnjë rrethanë nuk kam lejuar ndërtime pa leje. Edhe përkundër kësaj, kishte nga ata që u përpoqën. Në fillim nuk ishim në gjendje t’i ndiqnim sepse nuk kishim staf të mjaftueshëm, por më vonë i denoncuam ata në prokurori dhe i prishëm objektet e ndërtuara pa leje”, tha Elmasoglu.

Ai tha se Turqia ka nevojë për një ndryshim të plotë të mentalitetit në lidhje me respektimin e standardeve të ndërtimit.

“Qytetarët nuk duhet të presin asnjë lëshim nga shteti kur bëhet fjalë për ndërtimet pa leje”, tha Elmasoglu.

Ndryshe, mbi 35 mijë njerëz kanë humbur jetën nga tërmetet e 6 shkurtit me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë me epiqendër në Kahramanmaraş, nga i cili prekën mbi 13 milionë njerëz në dhjetë provinca turke, përfshirë provincat Hatay, Gaziantep, Adiyaman, Malatya, Adana, Diyarbakır, Kilis, Osmaniye dhe Sanliurfa. Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndien lëkundjet e forta që goditën Turqinë jugore në interval prej më pak se 10 orësh.

Në fushatën “Turqia Një Zemër”, e transmetuar drejtpërdrejt në televizionet në Turqi për mbledhjen e donacioneve për zonat e prekura nga tërmetet e fuqishme të javës së kaluar, brenda 2 orëve e gjysmë janë grumbulluar 101 miliardë e 101 milionë lira (rreth 5 miliardë euro), transmeton Anadolu.

Sot, nga rrënojat e ndërtesës Ugur në rajonin qendror Antakya në qytetin Hatay u shpëtua 228 orë pas tërmetit nëna dhe 2 fëmijët e saj. Në qytetin Hatay vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit pas tërmeteve me qendër në Kahramanmaraş.

Ndërkaq, siç njofton Radio Evropa e Lirë (REL), sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Turqi, Gjermani dhe Greqi nga 16 deri më 22 shkurt. Blinken do të vizitojë bazën ajrore Inçirlik në jug të Turqisë më 19 shkurt, “për të parë nga afër përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar autoritetet turke në përgjigje ndaj shkatërrimit nga tërmetet e 6 shkurtit”, tha zëdhënësi i DASH-it, Ned Price.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button