Zelensky paralajmëroi sulme të reja ruse ndaj infrastrukturës ukrainase

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar për mundësinë e “sulmeve të reja terroriste” nga forcat ruse, pas sulmeve të fundit të Rusisë që shënjestrojnë infrastrukturën energjetike në të gjithë Ukrainën, transmeton REL.

Në fjalimin e tij, gjatë natës së 12 shkurtit, Zelensky tha se punëtorët e energjisë kishin riparuar pjesën më të madhe të dëmeve të shkaktuara nga sulmet me dron dhe me raketa ruse, më 10 shkurt.

Megjithatë, ai shtoi: “Kjo nuk është ende një fitore vendimtare në frontin e energjisë. Për fat të keq, mund të ketë sulme të reja terroriste nga Rusia, që mund t’i lënë njerëzit pa shërbime gjatë motit të ftohtë të dimrit”.

Rusia ka kryer valë të përsëritura sulmesh ndaj objekteve të energjisë dhe shërbimeve të tjera të Ukrainës muajt e fundit, në atë që kritikët thonë se është një përpjekje për t’i lënë civilët në terr, dhe pa ngrohje e ujë gjatë dimrit të ftohtë.

Sulmet e 10 shkurtit, ku u goditën objektet e energjisë në gjashtë rajone të Ukrainës, erdhën pasi Zelensky u kthye nga një turne në kryeqytetet e Evropës Perëndimore, prej të cilave kërkoi më shumë armatime për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit nga pushtimi i nisur nga Rusia gati një vit më parë.

Gjatë vizitave të tij në Londër, Paris dhe Bruksel, Zelensky bëri thirrje për armatime të avancuara, përfshirë raketa me rreze të gjatë veprimi, avionë luftarakë dhe më shumë tanke.

Luftimet intensive po vazhdojnë në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas, ku forcat ruse janë angazhuar në një përpjekje të madhe për të pushtuar qytetin strategjik të rajonit të Donjeckut, Bahmut.

Më 12 shkurt, themeluesi i grupit të mercenarëve rusë, Wagner, pretendoi se forcat e tij kanë marrë kontrollin e Krasna Horas, një fshat në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, që gjendet afër Bahmutit, objektivit kyç të forcave ruse.

Zyrtarët ukrainas presin që një ofensivë e gjerë ruse, për të cilën shumë vëzhgues besojnë se tashmë ka filluar, do të fokusohet në Donbas, në rajonin e Harkivit në verilindje të Ukrainës, dhe në rajonin juglindor të Zaporizhjas.

Kievi zyrtar beson se presidenti rus, Vladimir Putin, shpreson të përfitojë nga ofensiva e re, në mënyrë që të nxjerrë në pah suksesin në fushëbetejë, në fjalimin e tij drejtuar kombit më 21 shkurt, një ditë përpara përvjetorit të pushtimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button