Komuna e Karposhit ende nuk e ka rregulluar ashensorin në Zyrën për komunikim të qytetarëve me deputetët në Karposh

Zyra për komunikim të qytetarëve të Komunës së Karposhit me deputetët e zonës, vazhdon të mos ketë qasje për personat me pengesa, pavarësisht rekomandimit të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, të cilin e miratoi pas hulumtimit të Portalb.mk.

Gazetari i Portalb.mk, të premten vizitoi vendin ku ndodhet Zyra për komunikim të qytetarëve të Karposhit me deputetët e zonës, por e njëjta vazhdon të mos ketë qasje për personat me pengesa, gjegjësisht nuk janë rregulluar ashensorët, apo shkallët elektrike. Pos kësaj, dyert kryesore elektrike nuk funksionin, u detyruam t’i hapim sipas “udhëzimit” të Komunës – “me dorë, pasi ambienti është i klimatizuar”.

Nga inspektimi që i bëmë, të premten rreth orës 10, pavarësisht se duhej të ishte në zyrë, njëri prej përfaqësuesve të deputetëve të ngarkuar për komunikim me qytetarët, zyra ishte e mbyllur.

Zyra për komunikim të qytetarëve të Komunës së Karposhit me deputetët e zonës, nuk ka qasje për personat me pengesa

Paraprakisht nga Komuna e Karposhit deklaruan për Portalb.mk se vijon procedura për plotësimin e mendimit të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Më 28 dhjetor, Komuna e Karposhit ka kryer diskriminim të vazhdueshëm ndaj qytetarëve me pengesa, banorë të kësaj komune, duke shkelur njëkohësisht dhe Kushtetutën e shtetit. Kështu vendosi Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) në Maqedoninë e Veriut duke u thirrur në hulumtimin e Portalb.mk në lidhje me jofunksionalitetin e zyrave për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të RMV-së. Sipas KPMD, duke u nisur nga fakti që Zyrën e ka vendosur në urë, pa ashensorë dhe shkallë elektrike funksionale, me këtë ua ka pamundësuar qasjen banorëve me pengesa në këtë objekt. KPMD i ka dhënë Komunës së Karposhit dy rekomandime me afate konkrete që qytetarëve me pengesa t’u mundësohet qasja e lirë, ashtu siç e garanton Kushtetuta ose në të kundërtën do të ngritë procedurë kundërvajtëse në gjykatë.

“Pas marrjes së njoftimit nga ana e Portalb.mk me numër 08-538/1 të 12.10.2022, Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi mori njohuri në lidhje me mungesën e qasjes në zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në Komunën e Karposhit. Gjegjësisht, pas vizitës së zyrave në Karposh, gazetarët kanë konstatuar se të njëjtat janë të vendosura në urë, ku ashensorët dhe shkallët elektrike nuk janë në funksion, me çka është pamundësuar qasja e personave me pengesa”, thuhet në mendimin e KPMD.

Pas konstatimit të diskriminimit, Komisioni i ka dhënë Komunës së Karposhit dy rekomandime me afate konkrete:

  1. Komuna e Karposhit të përgatisë plan aksional me specifikime të aktiviteteve konkrete, afate kohore dhe implikime financiare për sigurimin përshtatjes përkatëse e cila do t’u mundësojë qasje të personave me pengesa deri te zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Komuna e Karposhit është e obliguar të veprojë në pajtueshmëri me këtë rekomandim dhe ta dorëzojë planin aksional me shkrim ose formë elektronike deri te Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të mendimit.
  2. Komuna e Karposhit t’i mbarojë të gjitha masat e domosdoshme dhe aktivitetet për sigurimin e përshtatjes përkatëse me të cilën do të mundësohet qasja e personave me pengesa deri te zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Komuna e Karposhit është e obliguar që të veprojë sipas këtij rekomandimi dhe ta mënjanojë shkeljen e të drejtës në afat prej 180 ditëve nga pranimi i mendimit dhe për atë ta njoftojë Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Në mendim thuhet se nëse Komuna e Karoshit nuk vepron sipas rekomandimeve, Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi do të dorëzojë kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse përpara gjykatës përkatëse për kundërvajtje.

Ndryshe, sipas storjes së Portalb.mk, qytetarët duhet t’i kërkojnë gjithandej të punësuarit e Zyrave për Kontakt me Qytetarët, të cilët janë të angazhuar në orar të caktuar që të sigurojnë komunikim të deputetëve dhe qytetarëve. Portalb.mk i vizitoi 4 zyra në lokacione të ndryshme, gjegjësisht Tetovë, Çair, Karposh dhe Shuto Orizare për të shikuar nga afër si funksionojnë. Sipas asaj që pamë në terren, zyrat në fjalë nuk e respektojnë orarin e punës, ndërkaq disa prej tyre as nuk u përgjigjen thirrjeve telefonike. Qytetarët e kanë vështirë të kontaktojë me përfaqësuesit e deputetëve të cilët do të duhet t’i dëgjojnë hallet dhe nevojat e tyre, e që më pas të njëjtat të dorëzohen në Kuvend për të gjetur zgjidhje të caktuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button