Dita Botërore e Zgjedhjeve: Kur u mbajtën zgjedhjet e para në rajon?

Në ditën botërore të zgjedhjeve, TRT Balkan sjell një historik të zgjedhjeve të para të organizuara në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zgjedhjet si formë e vendosjes së shumicës datojnë që nga koha e Athinës së Lashtë dhe e Romës, edhe pse shumë të ndryshme nga ajo që e njohim sot si mënyrë e shprehjen së demokracisë. Zgjedhjet moderne e kanë zanafillën nga shekulli XVII, kur në Evropë dhe në Amerikën e Veriut filloi organizimi i zgjedhjeve të ngjashme me ato që njohim sot.

Por, një kohë të gjatë e drejta e votës ishte e drejtë ekskluzive e meshkujve. Vetëm nga shekulli XX kjo e drejtë iu njoh edhe grave, ndërsa nga viti 1948 Kombet e Bashkuara njohin të drejtën e votës si të drejtë themelore të njeriut.

Sot, si çdo të enjte të parë të shkurtit, bota shënon Ditën Botërore të Zgjedhjeve. Ky është një historik i shkurtër i zgjedhjeve të para të organizuara në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zgjedhjet e para në vendet e Ballkanit Perëndimor

  • Serbi- 1878
  • Mali i Zi- 1905
  • Shqipëri- 1921
  • Maqedoni e Veriut- 1990
  • Bosnjë e Hercegovinë- 1990
  • Kosovë- 1998

Zgjedhjet e para në historinë e Shqipërisë u mbajtën më 21 prill 1921. Partia Progresive e udhëhequr nga Shefqet Vërlaci dhe Partia Popullore e Fan Nolit dhe Luigj Gurakuqit fituan numra të përafërt të mandateve.

Kosova ka organizuar zgjedhjet e para në vitin 1998, në kulm të tensioneve me Serbinë. Në ato zgjedhje, Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar. Paraprakisht, Kosova kishte organizuar zgjedhje edhe në vitin 1992, kur u zgjodhën deputetë, ndonëse pa Kuvend, dhe qeveria e njohur si “Qeveria në ekzil”. Zgjedhjet e para të lira në Kosovë u mbajtën në vitin 2000, pas tërheqjes së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Maqedonia e Veriut organizoi zgjedhjet e para shumëpartiake në nëntor të vitit 1990, pas vendosjes së pluralizmit politik. Në atë kohë shteti akoma quhej Republika Socialiste e Maqedonisë. Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë fitoi shumicën në rrethin e parë, ndërsa në rrethin e dytë fitoi VMRO DPMNE-ja.

Zgjedhjet e para për Asamblenë Kombëtare të Serbisë, pas shpalljes së pavarësisë, u mbajtën në mbarë vendin më 29 tetor 1878. Në gjithë vendin u zgjodhën 129 deputetë. Princi kishte të drejtë të emëronte edhe 43 deputetë të tjerë, kështu që Kuvendi i ri Kombëtar, i mbledhur më 21 nëntor 1878 në Nish, kishte gjithsej 172 deputetë. Liberalët fituan shumicën në ato zgjedhje.

Mali i Zi organizoi zgjedhjet e para në historinë e vendit më 27 nëntor të vitit 1905. Në ato zgjedhje u zgjodh Asambleja Kombëtare që do ta miratonte Kushtetutën.

Zgjedhjet e para në Bosnjë e Hercegovinë u mbajtën më 18 nëntor 1990, ndërsa raundi i dytë për zgjedhjen e përfaqësuesve në Dhomën e Popullit u mbajt më 2 dhjetor. Këto ishin zgjedhjet e para shumëpartiake në Bosnjë e Hercegovinë. Krahas zgjedhjeve për anëtarë të Kryesisë së Republikës Socialiste të Bosnjë-Hercegovinës, janë mbajtur edhe zgjedhjet për Kuvendin e Republikës Socialiste të Bosnjë e Hercegovinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button