Maqedonia nuk është Kosovë e as Greqia, Serbi

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski  ditë më parë është deklaruar për ndryshimin e formatit të bisedimeve me Greqinë, për të zgjidhur kontestin për emrin.  Ky propozim i kryeministrit ka gjetur përkrahjen edhe të partnerit shqiptar në koalicionin qeverisës, BDI, e cila ka vlerësuar se kështu mund t’i jepet fund kontestit 20 vjeçar midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Propozimi i Gruevskit për të ndryshuar formatin e bisedimeve me Greqinë është komentuar në mënyra të ndryshme edhe në opinionin publik të vendit, ndërkohë që një pjesë e këtij opinioni e ka konsideruar propozimin si përpjekje të parë dhe serioze  të qeverisjes aktuale për ta zgjidhur kontestin.

Ish diplomati dhe analisti Alajdin Demiri,  i pyetur nga Portalb për mundësinë e ndryshimit të formatit të bisedimeve për zgjidhjen e këtij kontesti, dhe rezultatet që mund të priteshin nga kjo ndërmarrje e cila do t’i ngjante dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, thekson se në fakt kjo është përpjekja e parë më serioze që Maqedonia po bën për zgjidhjen e këtij kontesti.

Megjithatë, Demiri vlerëson se në rastin e bisedimeve Kosovë-Serbi ka patur një angazhim të fuqishëm të Bashkësisë ndërkombëtare në këtë proces, të drejtuar nga baronesha Catherine Ashton, që ka rezultuar i suksesshëm.

“Ka dallim midis pozitës së Greqisë e cila është anëtare e BE-së dhe e Maqedonisë e cila asnjëherë nuk është ulur dhe nuk ka bërë kërkesë për zgjidhjen  këtij konteksti. Unë mendoj se presioni i fundit duhet të orientohet ndaj Greqisë që BE dhe faktorët tjerë  vendimtarë ta kuptojnë qartë se Maqedonia është e interesuar dhe mund të bëjë partner edhe në BE, në mënyrë që nëpërmjet presionit diplomatik të ndikojë në zgjidhjen e kontestit” vlerëson  Alajdin Demiri.

Ai, ndërkaq shprehet pesimist për ecjen përpara të këtij procesi, sepse pozita e Maqedonisë në të  është ambivalente, ajo nuk është fortë e pozicionuar për zgjidhjen e këtij problemi dhe kjo e bën që çështja të mbetet në status quo.

Ndërsa, ish diplomati Nano Ruzhin duke krahasuar kontestet midis Kosovës dhe Serbisë, në njërën anë dhe Maqedonisë dhe Greqisë në anën tjetër, vlerëson se ky i dyti është shumë  më i lehtë për t’u zgjidhur, sepse i pari ka të bëjë me territore dhe kufij që nuk janë pranuar nga të dyja palët, ndaj dhe nga aspekti i marrëdhënieve ndërkombëtare është më e vështirë kur investimi dhe përfitimi lidhen me  territore.

“Në rastin tonë, në atë të kontestit midis  Maqedonisë dhe Greqisë bëhet fjalë për atë që disa e quajnë pjesë të identitetit dhe disa të tjerë e kualifikojnë si problem që lidhet me dinjitetin simbolet ikonografinë etj,  problemi do të duhej të jetë më i lehtë për t’u zgjidhur, por këtu ka një anomali, sepse në njërën anë Prishtina dhe Beogradi janë në gjendje që të merren vesh për një çështje shumë të rëndësishme dhe të rëndë siç është lufta, për dallim nga Maqedonia dhe Greqia që nuk kanë bërë luftë”, thekson Ruzhin.

Por, duke e shtjelluar më tej tezën e tij, Nano Ruzhin problemin e konsideron iracional dhe fajin për moszgjidhjen e këtij kontesti e sheh tek paaftësia e liderëve të të dyja palëve për ta zgjidhur atë. 

“Maqedonia është pjesa më e dobët e këtij konteksti, sepse nuk ka lider dhe shtetar që të gjej, apo pranoj kompromis,  i cili do të rezultonte me masa të caktuara konkrete. Është vështirë të jesh optimist që problemi të zgjidhet sipas modelit të Kosovës dhe Serbisë, sepse çështja e emrit ka arritur  në shkallën e një çmimi të madh, një sfide të madhe, me të cilin qeverisja aktuale nuk mund të ballafaqohet. Kjo sepse për çështjen e emrit janë hartuar programe zgjedhore edhe  janë drejtuar sulme ndaj kundërshtarëve politikë.”, thekson Nano Ruzhin, duke shtuar  se Serbia dhe Kosova janë më afër qëllimit  të tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button