Meta fakt: S’ka haber nga pastrimi i deponive të egra në Shkup, kujt i kujtohet hedhë mbeturina ku të arrijë (Foto)

Kryetarja e Shkupit Danela Arsovska në “Programin për Shkup modern” para zgjedhjeve lokale të vitit 2021, si një nga premtimet kryesore që ua bëri qytetarëve ishte pastrimi i të gjitha deponive ilegale në 82 ditët e para të ardhjes së saj në pushtet. Gjatë janarit të vitit 2023, ekipi i Meta.mk ka vizituar disa lokacione nëpër Shkup, ku tradicionalisht me vite të tëra në mënyrë ilegale hidhen mbeturina dhe nga ajo që pamë në terren, mund të konstatojmë se ky premtim parazgjedhor i kryetares nuk është plotësuar.

“Deponitë e egra janë kërcënim serioz për jetën e banorëve të Shkupit dhe një problem madhor me të cilin ballafaqohemi prej vitesh. Prandaj, për ajër të pastër mbi Shkupin, për sigurimin e ajrit të pastër për të gjithë ne, kemi vendosur prioritet – pastrimin e të gjitha deponive në qytet dhe në rrethinën e Shkupit në 82 ditët e para të mandatit. Me vendosmëri, me punë dhe këmbëngulje do të luftojmë për atë që na duhet, ajër të pastër dhe mjedis jetësor”, thuhet në faqen 15 të “Programit për Shkup modern” të kryetares Danela Arsovska.

Gjatë janarit 2023, ekipi i Meta.mk ka doli në terren për të kontrolluar se cila nga deponitë e egra në Shkup është pastruar në periudhën e kaluar. Më 9 janar 2023 kemi qenë në terren në lokacionin Vardarishte, komuna Gazi Babë, ku në terren kemi konstatuar se mbeturinat janë të shpërndara rreth oborrit të riciklimit të NP “Higjiena Komunale”, por edhe në disa vende përgjatë bregut të Vardarit në Vardarishte. Nga pamjet tona me dron, shihet qartë se në deponinë e egër në këtë lokacion po digjen mbeturina, pasi duken gjurmë të zeza të materialeve të djegura dhe kjo lëvizje ndot ajrin në Shkup në mënyrë të paligjshme.

This slideshow requires JavaScript.

Meta.mk më 23 janar ka bërë një xhiro nëpër deponitë ilegale të cilat i kemi vizituar saktësisht një vit më parë. Për atë që kemi zbuluar nga mbeturinat e shpërndara në lokacione në janar 2022, mund të lexoni në tekstin e botuar vitin e kaluar.

Një vit më vonë e nisëm rrugëtimin nga vendbanimi Vizbeg. Rruga që lidh vendbanimet Vizbeg dhe Shuto Orizar është e mbushur me mbeturina në të dy anët e rrugës. Plehrat hidhen në dalje nga Vizbegu, ku me shpejtësi po ndërtohen ndërtesa të reja. Ky vend i popullarizuar i depozitimit të mbeturinave është në kufirin midis komunave të Butelit dhe Shuto Orizarit.

This slideshow requires JavaScript.

Në terren kemi vëzhguar lloje të ndryshme të mbetjeve, nga mbetjet ushqimore, mbeturinat e tekstilit, shtretër dhe karrige të vjetra e deri te mbeturinat e ndërtimit dhe mbetjet e përziera komunale. Në të vërtetë, para hyrjes në deponinë e egër në Vizbeg, është paralajmëruar se ndalohet hedhja e mbeturinave, por edhe dënimi për këtë kundërvajtje është 50 euro. Mirëpo, në terren nuk kemi vërejtur se dikush po kontrollon se kush çfarë po bën në këtë vend. Ndërsa ekipi ynë ishte në terren, ne mundëm të dallonim një kamion që hidhte dhe në këtë vend.

Menjëherë pranë deponisë së egër në Vizbeg, vërehet se qytetarët kanë mbjellë drithëra, gjegjësisht në një vend hidhen mbeturina dhe mbillen ushqime, të cilat në të ardhmen do të gjenden në sofrat shtëpiake të qytetarëve.

Ndërsa vazhduam rrugën drejt komunës së Shuto Orizarit, sasia e mbeturinave të shpërndara ilegalisht u rrit. Në një moment, para shtëpive të para të lagjes, makinat kalojnë nëpër një peizazh të pazakontë. Turma të mëdha mbeturinash janë të shpërndara në të dy anët e rrugës dhe nuk lejojnë pamjen e ambientit përreth nga lartësia e plehrave të grumbulluara. Në teren janë tekstualisht të gjitha llojet e mbeturinave në fushë, ndërsa rreth nesh  mund të dëgjonim lehjen e disa qenve. Për shkak të mbeturinave të grumbulluara është e vështirë të kalojnë mjetet në rrugë.

This slideshow requires JavaScript.

Për dallim nga viti i kaluar, në këtë lokacion hasëm tabela të vendosura nga komuna e Shkupit, Shuto Orizari, me paralajmërim se në këtë vend ka video vëzhgim dhe se kushdo që hedh mbeturina ilegalisht regjistrohet. Megjithatë, nga “peizazhi” i përgjithshëm mund të konstatojmë se qytetarët e pandërgjegjshëm nuk e kanë problem të filmohen në aktin e shpërndarjes së plehrave.

Ekipi i Meta.mk vazhdoi rrugëtimin përgjatë bulevardit të ri “Hristijan Todorovski Karposh” në komunën e Butelit të Shkupit, nga ku spikat rruga e ngushtë që shpie në liqenin e Smilkovës. Njëlloj si Shuto Orizari, këtu mund të shihni mbeturina në të dy anët e rrugës. Edhe këtu, organet kompetente nga kjo komunë kanë paralajmëruar se është e ndaluar hedhja e mbeturinave në vend dhe se shkelësve do t’u konfiskohet automjeti me të cilin e kanë kryer këtë vepër.

This slideshow requires JavaScript.

Mirëpo, ajo që pamë në terren është se edhe këtu individë, të cilët janë banorë të kryeqytetit, nuk e kanë problem paralajmërimin e komunave dhe lirisht hedhin të gjitha llojet e mbeturinave në këtë lokacion. Edhe këtu kemi vërejtur se një pjesë e mbeturinave të grumbulluara po digjej, gjë që ndikon negativisht edhe në cilësinë e ajrit në Butel.

Pasi u siguruam se deponia ilegale ekziston edhe në Butel, ekipi i Meta.mk shkoi në komunën Qendër, në lokacionin nën Ambasadën Amerikane në Shkup. Autopoligoni i dikurshëm nën Kalenë e Shkupit mbetet lokacioni ku mund të hidhen mbeturinat ilegalisht pa asnjë pasojë. Në terren, kemi vërejtur mbeturina të shpërndara të paktën në katër lokacione në poligon, nga mbetjet e mobiljeve të djegura, mbeturinat e përziera komunale dhe deri te mbeturinat e ndërtimit.

This slideshow requires JavaScript.

Ekipi ynë zbuloi se mbeturinat hidhen edhe nga kodra e Kalasë së Shkupit, në vendin ngjitur me varrezat franceze, të cilat “derdhen” mbi shpatin e pjerrët të kodrës dhe mundësojnë një foto “të bukur” panoramike të Shkupit, të ngjashme me favelat nga Brazili.

Gjatë vizitës në deponitë e egra, më 23 janar vizituam edhe lokacionin e bregut të Vardarit në lagjen Karposh 4, ku prej kohësh premtohet ndërtimi i parkut të ri, pranë bulevardit Ilinden. Vitin e kaluar, pranë zonës së rrethuar ku do të ndërtohet ura e ardhshme mbi lumin Vardar, hasëm në grumbuj mbeturinash. Në të njëjtin vend këtë vit është ndërtuar një rrugë rrethore e asfaltuar, si alternativë për lëvizjen e këmbësorëve dhe çiklistëve që po rikrijohen në brigje, pasi shtigjet ekzistuese janë të mbyllura për shkak të ndërtimit të urës. Edhe pse ky lokacion në komunën e Karposhit duket i pa urbanizuar për shkak të parkut të parealizuar, megjithatë kemi konstatuar se mbeturinat që i kemi gjetur vitin e kaluar në këtë vend, këtë vit nuk ishin aty.

This slideshow requires JavaScript.

Përveç udhëtimit tonë nëpër Shkup në një ditë janari me shi dhe baltë, Meta.mk iu drejtua edhe autoriteteve të qytetit të Shkupit për të kërkuar përgjigje për disa pyetje në lidhje me deponitë ilegale në Shkup. E pyetëm Qytetin e Shkupit se sa deponi ilegale janë pastruar deri më sot, sa mbeturina janë grumbulluar dhe sa sipërfaqe mbulojnë lokacionet e pastruara. Kërkesën tonë për informacion e kemi dërguar në mënyrë elektronike në dy raste, më 20 dhe 23 janar, por deri më sot nuk kemi marrë përgjigje.

Ajo që mbeti pa përgjigje nga pushteti i qytetit të Shkupit është se deri ku është publikimi i hartës me lokacionet e detektuara të deponive ilegale në Shkup dhe kur ata vetë presin që deponitë ilegale në territorin e kryeqytetit të mbeten në të shkuarën. Pyetëm edhe për bashkëpunimin e Qytetit të Shkupit me 10 komunat në pastrimin, rregullimin dhe kontrollin e lokacioneve ku ilegalisht hidhen mbeturina të ndryshme.

Si rezultat i vizitës sonë në disa lokacione që janë shndërruar në deponi ilegale në pesë komuna të Shkupit, mund të konstatojmë se premtimi parazgjedhor i kryetares Danela Arsovska për pastrimin e të gjitha deponive ilegale në Shkup në 82 ditët e para të mandatit të saj nuk është përmbushur edhe sot e kësaj dite dhe pasi kanë kaluar më shumë se 14 muaj që kur ajo menaxhon kryeqytetin, ndonëse Qyteti i Shkupit në disa raste ka bërë përpjekje që në periudhën e kaluar të kryejë aksione për pastrimin e mbeturinave në disa nga lokacionet e treguara.

BURIME:

Programi për Shkupin modern”, verifikuar më 23.1.2023;

Meta.mk (27 janar 2022): Edhe pas 82 ditësh, Danela Arsovska  nuk i ka pastruar të gjitha deponitë në Shkup [galeri], kverifikuar më 23 janar 2023.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button