Osmani sot dhe nesër në Bruksel për takime me Borrellin, Xhoanën dhe Lajçakun

Shefi i diplomacisë dhe kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani, sot dhe nesër do të jetë për vizitë pune në Bruksel. Siç është paralajmëruar, ai do të ketë takime me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, si dhe do të vizitojë selinë e NATO-s, ku do të ketë një takim me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Mirçea Xhoana, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimit të MPJ-së, vizita e Osmanit në Bruksel do të fokusohet më së shumti në rolin e tij, përkatësisht në rolin e vendit si kryesuese e OSBE-së.

“Përveç prezantimit të programit të OSBE-së, në takimet në Bashkimin Evropian do të shkëmbehen mendime për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me OSBE-në, në radhë të parë me Komisionin Evropian dhe institucionet e BE-së, me fokus të veçantë në rolin dhe punën e misioneve në terren të Organizatës në rajonin e gjerë të Evropës Juglindore”, njofton MPJ.

Në kuadër të vizitës në NATO, shefi i diplomacisë do të marrë pjesë në një sesion të posaçëm tematik të Këshillit të Atlantikut të Veriut (KAV) të NATO-s, ku do të shkëmbehen mendime mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe rolin e OSBE-së në ruajtjen e stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.

Përveç Borelit dhe Xhoanës, Osmani do të ketë takime edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe me komisionerin evropian për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiq.

Më 1 janar, Maqedonia filloi presidencën e saj me OSBE-në, organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë, e cila përfshin 57 vende pjesëmarrëse nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia. Kryesimi i Maqedonisë me OSBE-në do të zgjasë gjatë gjithë vitit 2023.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button