Në Gjykatën Penale u prezantuan superekspertizat për “Llaskarcën”, tensione në seancë

Në një atmosferë të tensionuar dhe pas më shumë se 1 viti pritje, u prezantua në gjykatë super-ekspertiza për aksidentin tragjik në Llaskarcë. Sipas të dhënave, në aksident ka çuar fakti që autobusi nuk e ka pasur të aktivizuar sistemin për frenim. Sipas të dëmtuarve, bën fajtor të vetëm shoferin e autobusit Manoil Trifunovski dhe amniston pesë të akuzuarit tjerë, transmeton Alsat.

Prokurori Darko Jakimovski përmes pyetjeve vendoste në pikëpyetje kredibilitetin dhe profesionalizmin e ekspertëve në fushën në të cilën e kanë kryer ekspertizën, përkatësisht makinerisë. Ai la të nënkuptohet se këta ekspertë në mënyrë selektive i kanë shfrytëzuar të dhënat e ekspertizave paraprake.

Një hap më tutje shkuan akuzat e palës së dëmtuar, Bllagojçe Tërpevski që humbi djalin në këtë tragjedi dyshon se kjo ekspertizë nuk është punuar fare nga këta ekspertë, por është e porositur me qëllim që të shpëtohen fajtorët.

“Personi i cili e prezantonte super ekspertizën, u shihte se nuk ja ka idenë për asgjë, ai asgjë s’ka punuar për këtë super ekspertizë, as nuk e dinë se kush e ka bë këtë. Njëri prej ekspertëve prezent sigurisht që ka punuar në atë super ekspertizë, dhe për fat të keq vërtetohet që kjo super ekspertizë është e porositur nga ana e mbrojtjes me qëllim që të fshihen faktet dhe dëshmitë”, tha Bllagojçe Tërpevski, prind i viktimës në aksidentin e Llaskarcës.

Pyetjet e prokurorit publik nuk i pëlqyen mbrojtjes së të akuzuarve, të cilët ndërhynin secilën herë që prokurori Darko Jakimovski parashtronte pyetje udhëheqësit të grupit të ekspertëve, Zekirija Zekirit. Ata për dallim nga pala e dëmtuar, dukeshin të kënaqur me gjetjet e super-ekspertizës.

Madje avokati i të akuzuarve Sashko Dukovski thuri lavde për ekspertët, tha se bëhet fjalë për doktorë shkence dhe persona kredibil, duke shtuar se për profesionalizmin e tyre flet statusi i tyre akademik. Sipas tij, për aksidentin duhet të përgjigjet vetëm shoferi i autobusit.

“Përfundimet e të dy ekspertizave janë se bëhet fjalë për faktor subjektiv, përkatësisht gabim subjektiv, pra faktori njeri dhe në rastin konkret bëhet fjalë për shoferin e autobusit. Ndërsa çdo përfshirje e personave tjerë të cilët janë të akuzuar për kualifikimin e njëjtë juridik është non-sens dhe e paprecedent”, theksoi Sashko Dukovski, avokat.

Superekspertizat e përgatitura nga dy ekipe të inxhinierëve mekanikë dhe të trafikut, pas ekspertizës nga Byroja e ekspertizës, të urdhëruar nga Gjykata në dhjetor të vitit 2021 dhe e njëjta, e mbërritur në seancën e kaluar, i është dorëzuar prokurorit dhe të pandehurve përmes mbrojtjes së tyre, transmeton Portalb.mk.

Gjykata në seancën e kaluar mori vendim që pas pëlqimit të të gjitha palëve, për shkak të ekonomizimit dhe përshtatshmërisë së procedurës, të lexohen të gjitha provat e deritanishme dhe të vazhdojë procedura sot me këqyrjen e superekspertëve.

Superekspertiza e urdhëruar nga Gjykata në dhjetor të vitit 2021 është refuzuar nga fakultetet e vendit, me arsyetimin se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën paraprake, ndërsa Fakulteti Teknik në Manastir, në të njëjtën kohë, ka njoftuar gjithashtu se e kthyen çështjen sepse ekspertët e tyre të licencuar të inxhinierisë mekanike janë ekspertë vetëm në energji dhe nuk mund të ekspertojnë mjetet motorike.

Nga Penalja më pas informuan se kanë kontaktuar Universitetin e Shtipit dhe Fakultetin Mekanik në Shkup, nga ku janë njoftuar se nuk kanë mjaftueshëm ekspertë të licencuar për automjete në komunikacion të cilët nuk kanë marrë pjesë në ekspertizën paraprake. Pas refuzimit të fakulteteve, lënda është dërguar në Byronë e ekspertizës ligjore, e cila ka aftësinë të formojë një ekip ekspertësh të licencuar që do të kryejnë superekspertizë.

I akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të Laskarcës, që ndodhi më 13 shkurt 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe mbetën të plagosur rëndë mbi 30, është Durmish Beluli, pronari i kompanisë “Durmo Tours”, personi përgjegjës për transportin në kompani Ramzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për kryerjen e veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, ndërsa tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

Procesi gjyqësor për aksidentin e nisur në shtator të vitit 2019 e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik, Darko Jakimovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button