Duke shfletuar veprën e Thomas Mann “Tonio Kröger” (novelë)

Fillimi i shekullit XX-të solli në historinë e letërsisë evropiane si dhe botërore vepra  kapitale, novela e romane që lanë gjurmë të pashlyera në botën e shkrimeve, paraqitjen reale të gjendjes ekonomike, shoqërore, kulturore, politike, të popujve të ndryshëm, si dhe raportet shoqërore dhe kulturore, vetanake e kolektive, gjë që e kthyen letërsinë në Art. Tomas Mani është një klasik nobelist gjerman, i cili ka qenë i ndikuar prej veprave të V. Gëtes, F. Niçes, A Shpenhauherit, dhe klasikëve rus. Ka shkruar ese, tregime e novela, romane ku duket i  gjallë shteti gjerman i kohës së tij, prirjet e tij politike në fillim dhe hedhja e tyre ,që rezultoi me largimin e tij nga atdheu i vet. Ai i vazhdoi shkrimet duke përfituar adhurues në tërë botën e lexuesve, kështu në vitin 1929 e fitoi çmimin Nobël për letërsi. Lindi në Libek  të Gjermanisë më 1875 dhe vdiq në 1955 në Cyrih të Zvicrës. Diktohej prej shkrimeve se T. Manit i pëlqenin temat psikologjike. Arti i tij ishte i gërshetuar me pjesëza autobiografike të jetës së tij në Gjemani, ikjes prej nazistëve në SHBA, në zemër të Njujorkut me familjen e tij , djalin Klausin dhe vajzën Erika. Edhe pse i popullarizuar në Amerikë, ai ishte i pakënaqur nga varësia  e djalit dhe paraqitja e hapur homoseksuale, andaj shkon në Kaliforni. Do të kthehet në Evropë dhe do të mbetet në Zvicër

I ndikuar prej Gëtes ai ka një shkrim të veçantë, gjuhë e stil që është besnike e traditës por njëkohësisht krijues, i qartë dhe i lirë.  Gjuha e tij  nuk është patetike por është e lirë, sensuale, e njëkohësisht nervoze, ironike dhe e përkryer, thjesht e ka gjuhën e vet personale.

Novela “Tonio Krëgeri” është një autobiografi e jetës së tij, paraqitja e shoqërisë në kohën e tij, plot ironi dhe satirë. Tema kryesore e novelës është arti dhe qasja shpirtërore ndaj artit krijues. Prandaj këtu si dhe në veprat e tjerë, vendin kryesor e zënë meditimi dhe bisedimi, me një fjalë njohja e vetvetes, dhe qëllimi i fundit t’i njeh të tjerët si dhe të lidhet me jetën. Tonio Krëgeri i përjetoi dy katastrofat më të errëta për njerëzimin, Luftën e Parë  dhe Luftën e Dytë Botërore, që e bënë të lidhet me realizmin  dhe të mbërrijë pjekurinë si njeri dhe si artist. Babai i tij ishte një konsull i pasur, nëna një grua më e lirë në mendime se babai, e ky, i mirë , shembullor në shkollë por i vetmuar. Është katërmbëdhjetë vjeçar, i do shokun e shoqen  Hansin dhe Ingen por ato pak e kuptojnë. Derisa ky është i zhytur në lexim të veprave të autorëve të mëdhenj,  i analizon dhe mirët me shkrime, pakë kush e kupton. Hansit i pëlqejnë ilustrimet me kuajt, e Inges i pëlqen Hansi, i cili ishte flokë verdhë e sykaltër përkundrejt Tonios që i kishte si sytë po ashtu edhe flokët të errëta.

Interesimi i këtyre aspak nuk përputhej, ato dy ishin gazmor e fjalamanë e Tonio ishte i mbyllur në vete dhe fliste pakë. Duke treguar se ai ishte dashuruar në Ingen dhe se ajo e donte Hansin, ai pyetej se ç ‘kishte Hansi më shumë se ai. Duke e përshkruar fëmijërinë e vet, ai në një vend thekson se si dashuria e pasuronte dhe duke ia ushqyer shpirtin, ajo atë e mbante gjallë. Ai shkoi edhe në orët e baletit dhe të vallëzimit, vetëm e vetëm ta sheh Ingen e zemrës së tij…dhe i gjori sa shumë vuante kur ai digjej nga malli e  ajo ishte e ftohtë dhe mospërfillëse ndaj tij. Ai kishte sy vetëm për Ingen që nuk e shikonte fare, ndërsa një vajzë tjetër, Magdalena me të njejtin mall e shikonte Tonion. Çfarë ironie? Tonio mendonte:  LUMTURIA ËSHTË  TË DUASH DHE NDOSHTA TË KAPËSH ATY KËTU CA ÇASTE TË VOGLA, KU KE ILUZIONE SE JE PRANË NJERIUT QË E DO”. Të këtilla mendime dhe të tjera që kanë të bëjnë me vetminë e tij lidhur me artin e të shkruarit, me artistin, shkrimtarin, piktorin, muzikantin…por edhe për besnikërinë. Ai e shihte qartë se nuk ekziston një gjë e tillë. Vazhdimisht zhgënjehej

Nëna e tij, kryetarja e fisit kishte vdekur. Pas një kohe vdiq edhe i ati, kështu e shitën shtëpinë e madhe të Krëgerëve dhe firmat tregtare morën fund.  Tonio e la qytetin e lindjes e u dha me mish e me shpirt, fuqisë më fisnike në botë, që i premtonte madhështinë, famën, forcën e mendjes, u dha pas pasionit të vet rinor, të lexojë e të shkruajë, kështu filloi t’i njeh njerëzit. Sa më shumë i njihte aq më i vetmuar ishte. Tonio jetonte në qytete të mëdha, në Jug, ku dielli, siç shpresonte do t’ia piqte pa kursim artin. Po meqë zemrën e kishte të vdekur e pa dashuri, Tonio  ra në ca aventura të mishit , e u zhyt thellë në epsh e në mëkat përvëlues, e hoqi e vuajti sa s’thuhet nga kjo. E kapi një neveri e urrejtje për ndijimet, një etje për pastërti, për një ndershmëri të qetë, ndërsa vazhdonte ta thithte atmosferën e artit, një atmosferë të vakët e ëmbël…ku gjithçka mbin, ritet nën dehjen e krijimit- shkruan  Tomas Mani për Tonion, pra për veten e tij për këtë periudhë të jetës së tij. Në takimin e tij me piktoren Lizabetën , para se të niset në një udhëtim nëpër detin Baltik, na jep disa ide dhe mendime të tij, tani si një shkrimtar, krijues i njohur për artin.  “Veprat më të mira lindin nën trysninë e një jete të keqe, se, po të jeton, s’punon dhe se duhet të jesh i vdekur për të gjallët, që të jesh vërtet krijues”.

Derisa Prusti është një shëtitës e kërkues i ndjenjës, T. Mani është i mendimit. Për T. Manin njerëzimi ndahet në dy kategori: në njerëz të lumtur që s’kanë kërkesa shpirtërore  dhe në njerëz të trishtuar që vuajnë nga shkaku i këtyre kërkesave.

Kjo vepër është ndër të parat , dhe është baza e të gjitha veprave të tjera. Sipas tij arti ka për detyrë ta njohë e ta shpjegojë jetën. Kryeveprat shkruhen duke mohuar gëzimet e jetës dhe me punën vetëmohuese duke u mbullur në burgun e krijimit. Kryeveprat shkruhen duke mohuar gëzimet e jetës dhe veten. Premtimin që ia bën Tonio Krëgeri,  Lizaveta Ivanovnës, piktores është se në të ardhmen do të ketë vepra madhore, dëshmojnë një gjë:  “Tonio Krëgëri” është  novelë, në shkallën më të lartë të  përsosmërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button