Mbretëresha e kriptomonedhave ju vodhi investitorëve 4 miliardë dollarë, më pas hipi në një avion dhe u zhduk

Ruja Ignatova u ngjit në skenë me një fustan të stolisur me shkëndija të zeza. Rreze drite u ndezën, topa e zjarrit shpërthen me këngën “Girl on Fire” të Alicia Keys në sfond, raporton PCW.

Duket si një vajzë, por ajo është zjarr. Aq e shndritshme, ajo mund të digjte sytë tuaj – më mirë të largoni shikimin,” ishte kënga ndërsa Ignatova falënderoi pjesëmarrësit që brohorisnin në Wembly Arena të Londrës.

Kjo ishte në 2016-ën, kur kriptomonedhat ishin pjesë e çdo diskutimi dhe investitorët po përpiqeshin të fitonin sa më shumë. Igantova e quajti veten si “Cryptoqueen” dhe e cilësoi kompaninë e saj, OneCoin, si një rival i Bitcoin në tregun në ngritje të kriptomonedhave.

Në dy vite, askush nuk do të flasë më për Bitcoin,” tha ajo ndërsa investitorët duatrokitën dhe fishkëllyen.

Gjashtëmbëdhjetë muaj më vonë, Ignatova hipi në një avion në Sofie të Bullgarisë dhe u zhduk. Që atëherë nuk është parë më.

Autoritetet thonë se OneCoin ishte një skemë piramidale e cila mashtroi njerëzit duke ju marrë 4 miliardë dollarë ndërsa Ignatova bindi investitorët në SHBA Dhe mbarë globin të hidhnin para në kompaninë e saj. Prokurorët federalë e përshkruajnë OneCoin si skema më e madhe ndërkombëtare e mashtrimit krijuar ndonjëherë.

Ajo sot është një prej 10 individëve më të kërkuar në botë krahasuar bosëve të bandave dhe vrasësve dhe është e vetmja femër në atë listë. Nga 529 individët në listën e arratisë së FBI-së, ajo është një prej 11 femrave që kanë qenë pjesë e saj.

Ignatova dhe partnerët e saj “morën nga viktimat miliarda dollarë duke pretenduan se OneCoin ishte “vrasësi” i Bitcoin,” tha prokurori Amerikan Damian Williams muajin e kaluar.

Në fakt, OneCoins ishin plotësisht të pavlera dhe kishin vetëm një qëllim, tu merrnin njerëzve nga mbarë bota paratë.”

Ajo e dinte që nga fillimi se ishte një mashtrim

Që kur Ingnatova është zhdukur në Tetor të 2017-ës, fytyra e saj është vendosur në uebsajtin e FBI-së dhe mediave më të mëdha në botë. Ajo është një prej të arratisurve më të kërkuar në Evropë gjithashtu.

Në fund të posterit të saj të FBI-së shkruhet: “Ignatova besohet se udhëton me roje të armatosura dhe madje mund të ketë bërë edhe kirurgji plastik për të ndryshuar pamjen e saj.”

FBI-ja thotë se të arratisurit e kësaj liste janë njerëz me rekorde të gjata kriminale dhe rrezikshmëri të lartë. Dokumentet e gjykatave zbulojnë një narrativë të frikshme: Ignatova dhe bashkëthemeluesi i saj i OneCoin, Karl Sebastian Greenwood, ishin në dijeni që nga fillimi se aventura e tyre ambicioze është një skemë Ponzi.

Kriptomonedha OneCoin u themelua për një qëllim të vetëm, mashtrimin e atyre që investonin,” tha agjenti special i IRS John R. Tafur.

Ndërsa Greenwood dhe Ignatova ishin duke punuar për konceptin e OneCoin, ata i referoheshin si “trashy coin” zbulojnë dokumentet e gjykatës. Ato tregojnë se Greenwood i kishte përshkruar investitorët si idiotë dhe të çmendur përmes një e-mail-i drejtuar vëllait të Ignatova, Kostantin Ignatov, cili gjithashtu mori pjesë në mashtrim dhe drejtoi OneCoin pasi motra e tij u zhduk.

Mund të mos jetë e pastër, apo diçka që do të punoja apo që të më bënte krenare,” shkruante Ignatova drejtuar Greenwood në 2014-ën.

Ajo propozoi një strategji daljeje nëse kompania dështonte duke thënë në një e-mail në 2014-ën drejtuar Greenwood se ata duhej të merrnin paratë dhe të fajësonin dikë tjetër.

Që kur ishte e re, Ignatova dëshironte të bëhej e pasur

42 vjeçarja Ruja Ignatova, një qytetare me shtetësi Gjermane por e lindur në Bullgari, kishte prindër një inxhinier dhe një mësuese.

Në librin e tij “The Missing Crypto Queen,” autori Jamie Barlett detajoi ngritjen e saj nga fillesa modeste në një yll sipërmarrjeje.

Kur ajo ishte vajzë, familja e saj emigroi në Gjermani, ku Ignatova shkëlqeu si studente dhe shpenzonte kohën e lirë duke mësuar ose luajtur shah. Shokët e klasës e përshkruanin atë si inteligjente, motivuese dhe e përmbajtur.

Ignatova fitoi një bursë nga një universitet në Konstanz të Gjermanisë ku ajo u takua dhe u martua me një student. Ajo ishte shprehur se nuk dëshironte të kishte fëmijë, shkruante Barlett sepse do ta pengonin të bëhej e pasur.

Ajo mësohet tu ketë thënë njerëzve se dëshironte të bëhej milionere deri në moshën 30 vjeçare.

Dëshpërimisht kërkonte të bëhej pasur duke lexuar libra të shumtë sesi të bënte para,” shkruante Barlett.

Pasi studioi ligj Evropian në Universitetin e Oksfordit, Ignatova filloi punë në Sofia si këshilltare për McKinsey & Company, një firmë ndërkombëtare e konsulencës.

Klientët i besonin asaj nisur nga ngritja nga fillimet modeste dhe dëshira e saj për tu bërë e pasur. Fliste rrjedhshëm gjuhët Ruse, Gjermane, Angleze dhe Bullgare.

Paraqitja kishte shumë rëndësi për Ignatova e cila shpeshherë merrte pjesë në evenimente duke përdorur buzëkuq të ndritshëm dhe diamante në veshët e saj.

Çdo gjë demonstronte sukses dhe shkëlqim,” shkruante Barlett. “Ajo ishte e fiksuar me stilin dhe imazhin.”

OneCoin ju kishte premtuar investitorëve rikthim të fitimeve 5-10 herë

Kriptomonedhat si bitcoin janë asete dixhitale të krijuara dhe menaxhuar nga një rrjet i decentralizuar global kompjuterësh që zëvendësonin një bankë apo një qeveri shteti. Bitcoin, për shembull, gërmohet dhe krijohet nga gërmues profesionalë duke përdorur ushtri serverësh në qendra të dhënash.

Është një industrie gjerësisht e parregulluar dhe me luhatje të mëdha dhe mendimet e ekspertëve rreth kriptomonedhave janë po kaq të luhatshme. Zërat në mbrojtje të kriptomonedhave thonë se një e ardhme e ndritur na pret kur ekonomitë të funksionojnë mbi monedhat dixhitale hedhur në qarkullim nga komuniteti dhe jo një bankë qendrore. Kritikët i quajtur skema Ponzi dhe investime me rrezikshmëri të lartë.

Në 2014-ën, Ignatova dhe Greenwood, bashkëthemeluesi i saj, filluan të prezantojnë idenë e OneCoin tek investitorë të ndryshëm në Evropë, New York dhe mbarë botën. Mbajtën disa webinare dhe konferenca online duke nxitur investitorët potencialë të hedhin para duke blerë pako OneCoin.

OneCoin operonte si një rrjet marketingu me shumë nivele ku investitorët merrnin komisione për rekrutimin e të tjerëve për të blerë pako kriptomonedhash thanë prokurorët federalë. Pakot ishin me nivele të ndryshme, nga bazike tek të avancuara.

Ignatova dhe partnerët e saj ju premtonin blerëve rikthim nga 5 deri në 10 fishin e parave të investuara.

Një valë blerjesh nisi. Mes tre mujorin e të katërt të 2014-ës dhe tre mujorit të katërt të 2016-ës, investitorët hodhën 4 miliardë dollarë thanë prokurorët federalë. 50 milionë dollarë erdhën vetëm prej investitorëve në SHBA sipas dokumenteve të gjykatës.

Ajo e organizoi skemën në mënyrë perfektë duke përfituar nga spekulimi i madh lidhur me kriptomonedhat në ditët e para,” tha Williams, një prokuror i lartë federal në Manhattan.

OneCoin nuk gërmohej si kriptomonedhat e tjera, thanë prokurorët federalë. Në vend të një ushtrie serverësh të fuqishëm, OneCoin gjenerohej nga një softuer i thjeshtë.

Prokurorët federalë thanë se në një email drejtuar Greenwood në Gusht të 2014-ës, Ignatova shkruante, “Ne nuk po gërmojmë asgjë, thjeshtë po gënjejmë.”

Vlera e OneCoin nuk ishte e bazuar në furnizimin e tregut dhe kërkesa siç funksiononte me kriptomonedhat e tjera, por thjeshtë manipulohej privatisht nga vetë OneCoin.

Por më pas gjërat shkuan drejt kolapsit

Fasada filloi të binte në 2016-ën kur investitorët e kishin të vështirë të shisnin OneCoin e tyre për të rimarrë investimet e para.

Fjala filloi të përhapej online se biznesi ishte një mashtrim. Mediat filluan të bënin pyetje. Hetues Amerikanë dhe ndërkombëtarë filluan të përfshiheshin.

Nuk është e qartë çfarë ndodhi me martesën e Ignatova. Por FBI-ja thotë se ajo mësoi që OneCoin po hetohej pasi gjeti në apartamentin ku qëndronte i dashuri i saj se ky i fundit po bashkëpunonte me autoritetet federale për praktikat e kompanisë së saj.

Në Tetor të 2017-ës, Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi Ignatova për mashtrim, konspiracion, pastrim parash, mashtrim me letrat me vlerë ku secila akuzë ka një dënim maksimal prej 20 vitesh.

Një gjykatë federale në New York lëshoi një urdhër arresti. Më pak se dy javë më vonë, më 25 Tetor 2017, ajo hipi në një fluturimin komercial nga Sofia në Bullgari në drejtim të Athinës në Greqi thonë dokumentet e gjykatës.

Më pas ajo u zhduk duke lënë partnerin e saj të biznesit të merrej me kolapsin e kompanisë.

FBI-ja tha se besonte që ajo ka udhëtuar me pasaportën e saj Gjermane nga Athina drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, Gjermanisë, Rusisë, Evropës Lindore e madje edhe drejt Bullgarisë. Një shpërblim prej 100 mijë dollarësh është vënë për këdo që jep informacion që çon drejt arrestimit të saj.

Ajo u largua me një sasi të madhe parash,” tha Michael Driscoll, asistent drejtor i FBI-së në New York. “Paratë mund të blejnë shumë mirë, dhe mund të imagjinoj se ajo ka përfituar nga kjo.”

Partnerët e saj nuk ishin kaq me fat. Greenwood u arrestua në Korrik të 2018-ës në shtëpinë e tij Koh Samui në Tajlandë dhe ekstradua në SHBA. Ai pranoi fajësinë në Dhjetor dhe përballet me 20 vite burgim.

Vëllai i Ignatova, Konstantin Ignatov, u arrestua në Mars të 2019-ës në aeroportin ndërkombëtar të Los Angeles. Ai udhëtoi drejt SHBA-së me një biletë biznesi dhe po përgatitej të merrte avionin për tu kthyer në Bullgari kur pesë burra të mëdhenj në kostume të zeza i vunë prangat dhe e çuan në një dhomë pyetje duke kërkuar informacion për motrën e tij.

Ignatov pranoi fajësinë dhe dënimi i tij pritet të bëhet publik në Shkurt. OneCoin është mbyllur dhe uebsajti nuk është më aktiv.

Por themeluesi i saj, një grua me fustane të gjata dhe bizhuteri të ndezura, i ka shpëtuar autoriteteve. Më shumë se pesë vite më vonë kur mbretëresha e kriptomonedhave hipi në avionin për në Greqi, vendndodhja e saj mbetet një mister.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button