Pasojat nga vërshimet në Kosovë

Disa komuna të Kosovës të enjten u goditën nga vërshimet pas reshjeve të dendura të shiut. Pas rënies së nivelit të ujit nëpër komunat e prekura, kanë filluar të dalin në pah pasojat, raporton Kallxo.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton për veprimet që janë ndërmarrë në komunat e prekura  nga vërshimet

Në vazhdën e pranimit të kërkesave nga qytetarët dhe komunat e Republikës së Kosovës, Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme njofton se ka bërë koordinimin e veprimeve të saj të mëtutjeshme me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve.

Në kuadër të kësaj, Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve të asistuar nga Njësitë e komunave që kanë situatë të qetë përballë vërshimeve, kanë reaguar në disa lagje të qytetit të Skenderajt dhe Mitrovicës së Jugut.

“Po vijon hapja e kanaleve për rrjedhje të ujit në zonat e Mitrovicës së Jugut dhe në komunat veriore ku ka përmbytje. Për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve spitalore, Njësitë e Zjarrfikësve kanë sjellur një autocisternë në Spitalin e Mitrovicës” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në shtëpitë e vërshuara nga uji në zona të ndryshme të Komunës së Zveçanit planifikohet të fillojë nxjerrja e ujit me pompa ndërsa në zona të Komunës së Leposaviçit, ky proces veçse ka filluar nëpër shtëpi të vërshuara nga uji.

“Rrëshqitjet e dheut të shkaktuara pasditen e sotme kryesisht në komunat veriore janë sanuar nga Njësitë e Zjarrfikësve dhe kompani të ndryshme ndërsa në zona të tjera po shfrytëzohen rrugët alternative” – përfundon njoftimi i MPB-së.

Policia e Kosovës vazhdon asistencën nëpër qytetet e prekura nga vërshimet

Pas reshjeve të shiut dhe vërshimeve gjatë ditës së djeshme dhe në mbrëmje, kryesisht në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit, sot ka filluar të bie niveli i ujit, kurse aktivitete policore në ato rajone vazhdojnë të jenë aktive.Nga raportime e njësive policore nga tereni, raportohet se në rajonin e Mitrovicës së Jugut, kryesisht në Skenderaj dhe Mitrovicë të Jugut, niveli i ujit ka rënë.“Në disa ndërtesa në katet përdhese ka ende uji, në disa vende ka sasi uji i cili nuk është tërhequr krejtësisht” – thuhet në njoftim. Policia e Kosovës njofton se njësitet policore janë në teren dhe po ballafaqohen me detyra përfshirë ndihmën për qytetarët dhe sigurinë në trafik.“Aktivitetet po koordinohen me institucionet komunale dhe ato qendrore.

Në rajonin e DRP Mitrovicë Veri niveli i ujit ka rënë, ka pasur intervenime nga kompani në pastrimin për heqjen e dheut e gurëve nga rrugët dhe rrugët janë të qarkullueshme, nuk ka pasur dëme në njerëz” – vazhdon njoftimi.Policia po ashtu njofton se edhe në Istog, në katër fshatra të kësaj komune, ku ka pasur vërshime dje, sot niveli i ujit ka rënë. Po ashtu në disa fshatra të Podujevës ka pasur vërshime dje, sot niveli i ujit ka rënë edhe pse ende jo tërësisht.

“Policia apelon që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të kenë kujdes gjatë ngasjes së veturave dhe po ashtu apelon që për çdo rast të kërkesave për ndihmë, qytetarët të thërrasin në numrat përkatës” – vazhdon njoftimi.Kryetari i Komunës së Jugut, Bedri Hamza, njoftoi të premten se do të mbulojë shpenzimet për qiranë për familjet që janë prekur nga vërshimet.Ai tha se deri më tani janë evakuuar rreth 40 familje.“Më shumë se 40 familje janë evakuar në gjithë qytetin dhe pasojat janë shumë të mëdha. Mbi të gjitha fatmirësisht nuk kemi pasur humbje të njerëzve.

Ata kanë nevojë për gjithçka, pasi që shtëpitë janë të pabanueshme dhe urgjent duhet t’i qëndrojmë pranë njerëzve me pako ushqimore, veshmbathje, si dhe duhet të bëhet identifikimi i familjeve që janë pa strehë, t’i vendosim me qira dhe komuna të marrë përsipër pagesën e qirasë”- citohet të ketë thënë reku i ekzekutivit lokal.“Qendra Operative Emergjente Lokale do të qëndroj pranë të gjithë banorëve të atyre lagjeve ku janë prekur nga vërshimet, duke i ndihmuar dhe mbështetur ata dhe se komisionet komunale vlerësuese shumë shpejt pritet të dalin në teren për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet” – thuhet më tej në njoftimin e komunës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button