MASh: Gjysmëvjetorin e dytë shkollat të përdorin energjinë e subvencionuar
Duke pasur parasysh se disa nga shkollat publike fillore dhe të mesme ende nuk e kanë shfrytëzuar avantazhin e furnizimit me energji elektrike të subvencionuar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ju bën thirrje udhëheqësive të institucioneve arsimore dhe komunave si themelues të tyre ta realizojnë këtë mundësi, transmeton Portalb.mk.
Me këtë, thonë nga ministria shkollat do të ulin shpenzimet e energjisë elektrike dhe do të mundësohet realizimi i pandërprerë i mësimit me prezencë fizike deri në përfundimin e vitit shkollor.
“Përgjegjësia e të gjitha palëve të interesuar në realizimin e procesit edukativo-arsimor kontribuon për cilësi më të lartë në arsim”, thonë nga Ministria.
Nga atje rikujtuan se viti shkollor me vendim të Qeverisë vazhdon më 23 në vend të 18 janarit, me prezencë fizike për të gjithë nxënësit.
Pushimi dimëror sipas tyre u zgjat me arsyetimin për të mbrojtur shëndetin e nxënësve dhe për të kursyer energjinë elektrike për ngrohje.
Kujtojmë që MASh në nëntor njoftoi se gjithsej 366 shkolla fillore komunale dhe 109 shkolla të mesme publike marrin mbështetje nga shteti për funksionim normal.