BE kërkon gjykatat e RMV-së të konfiskojnë gjithçka që është vjedhur, jo vetëm telefona celularë dhe automjete

Konfiskimi i mjeteve kriminale duhet të bëhet prioritet strategjik në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit në nivel të lartë në RMV, thuhet në një pjesë të raportit të Komisionit Evropian në kuadër të Mekanizmit për Suspendim të Vizave, shkruan A1on, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Evropian u sugjeron autoriteteve gjyqësore që ta përmirësojnë evidencën e aktgjykimeve të plotfuqishme në rastet e korrupsionit të lartë, përfshirë edhe me konfiskimin e mjeteve kriminale.

“Maqedonia e Veriut ka arritur përparim në konsolidimin e evidencës për hetimet, akuzave dhe aktgjykimeve për krim të organizuar dhe larje parash. Për larje parash, në vitin 2021 u dorëzuan akuza kundër 9 personave, janë miratuar aktgjykime të shkallës së parë për 7 persona dhe janë miratuar aktgjykime të shkallës së dytë për dy persona. Për krim të organizuar janë ngritur akuza kundër 55 personave. Në tre raste janë zbatuar hetime financiare. Konfiskimi i mjeteve kriminale nuk është shfrytëzuar mjaftueshëm (vetëm në dhjetë raste me vendime të shkallës së parë për konfiskim të pronës kryesisht me vlerë të ulët, për shembull të automjeteve, parave dhe telefonave celularë), thuhet në raport.

Portali “A1on” ka kërkuar përgjigje nga Agjencia për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar në lidhje me atë se çfarë mjete janë marrë gjatë vitit 2021 dhe cila është vlera e tyre e përgjithshme, por nuk Agjencia nuk është deklaruar.

Në lidhje me luftën kundër pastrimit të parave në Maqedoninë e Veriut është miratuar plan aksional që duhet të zbatohet deri në vitin 2024, por nga BE theksojnë se nevojiten përpjekje shtesë për parandalimin e larjes së parave, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Të vazhdojnë përpjekjet për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet: përmirësimit të evidencës së aktgjykimeve të plotfuqishme të korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë edhe me konfiskimin e mjeteve kriminale ; përmirësim të evidencës së hetimeve, ndjekjes dhe aktgjykimeve për krim të organizuar dhe pastrim parash; pjesëmarrje në hetime ose ndjekje më të koordinuara ose të përbashkëta me vendet e rajonit ose të BE-së; dhe shfrytëzim të tërësishëm të Qendrës Nacionale Koordinuese për Luftë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimit Serioz”, porosisin nga KE.

Sot, Portalb.mk shkruan se funksionarët do të vazhdojnë të kenë hapësirë më të madhe për ta fshehur pasurinë edhe për një periudhë të pacaktuar, pasi ligji për prejardhjen e pronës, nuk ka kaluar as në Qeveri dhe ende ndodhet në fazën e finalizimit të zgjidhjeve nga propozim-versioni i fundit. Para një viti e katër muajsh, përkatësisht në nëntor të vitit 2021 u tha se propozimi i këtij ligji ishte dërguar në Komisionin e Venecias, pas çka, po atë muaj, do të duhej të shqyrtohej nga ekspertët vendas. Kjo procedurë në fakt, ende nuk ka përfunduar as sot e kësaj dite dhe madje pas kësaj, përsëri duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias, ku u dërgua edhe në fund të vitit 2021.

Ndryshe, në raportin e progresit që Komisioni Evropian e publikoi në tetor, theksohej nevoja për vazhdimin e luftës kundër korrupsionit.

Vendi ka progres stabil, por patjetër të vazhdojë në luftë luftën kundër korrupsionit, bashkë me fushën e reformës së administratës publike, thuhej në raport.

Gjithashtu, në raport thuhej se sistemi juridik ka arritur në shkallë të gatishmërisë dhe mesatarisht është i përgatitur, ndërkohë vendi ka arritur nivel të caktuar të përgatitjes dhe është e përgatitur mesatarisht në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Portalb.mk, paraprakisht shkruajti se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button