Deputetja e Parlamentit Evropian dha dorëheqje pas akuzave për korrupsion

Deputetja e Parlamentit Evropian (PE), Maria Arena, njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj si kryetare e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut me arsyetimin se ishte në shënjestër të mediave dhe qarqeve politike, megjithëse emri i saj nuk u përmend zyrtarisht në hetimin e korrupsionit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Belgjikës, “Belga”, deputetja socialiste e PE-së dha dorëheqje nga posti i kryetares së Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut të PE-së për shkak të akuzave ndaj saj nga disa gazetarë dhe kolegë.

Në një deklaratë për “Belga” ajo tha: “Autoritetet e Belgjikës nuk donin që të hiqej imuniteti im parlamentar. Nuk u kontrolluan as vendi im i punës dhe as shtëpia ime. Nuk u mora në pyetje kurrë në gjykatë”.

Deputetja nga Belgjika, Arena, deklaroi se ka marrë një vendim të tillë për të mbrojtur reputacionin e saj për shkak të akuzave.

Emri i saj u përmend shpesh në shtyp për shkak të komunikimit të saj me ish-deputetin italian të PE-së, Pier Antonio Panzeri, i cili u ndalua në hetimin e korrupsionit.

Në kuadër të hetimit për korrupsion, ryshfet dhe pastrim parash të kryer nga autoritetet belge, në dhjetor të vitit të kaluar u bënë kontrolle në shumë pika, u sekuestruan 1,5 milionë euro dhe u ndaluan 4 persona.

Deputetja greke, Eva Kaili, të cilës i është ndërprerë detyra si nënkryetare e PE-së, ish-deputeti italian i PE-së, Pier Antonio Panzeri, partneri i Kailit, Francesco Giorgi, i cili punon si asistent në PE dhe drejtori i një organizate joqeveritare për çështjet e sundimit të ligjit, Niccolo Figa-Talamanca, ishin personat që u ndaluan nga policia.

Kontrolli u krye në bazë të ligjit belg, nën kujdesin e Presidentes së PE-së, Roberta Metsola.

Thuhet se këta persona morën ryshfet nga një vend i Gjirit për të ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të PE-së. Katari, i cili u përmend në lajmet për këtë temë, i mohoi akuzat.

Më vonë në lajme, u pretendua se edhe Maroku u dha ryshfet këtyre personave dhe u pretendua se inteligjenca marokene dhe ambasadori i Marokut në Varshavë, Abderrahim Atmoun, u takuan me të dyshuarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button