Osmani nga Vjena: Është detyra jonë të reagojmë sot, për njerëzit – ky është themeli i OSBE-së
Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në Vjenë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së e prezantoi programin e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë, transmeton Portalb.mk.
Nën sloganin “Fjala është për njerëzit”, kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023 do të jetë i fokusuar tek njerëzit, “çka dhe do të jetë forca që do të na udhëheqë në vitin e ardhshëm”, u tha të pranishmëve Osmani.
“Është detyra jonë të reagojmë sot. Për njerëzit. Ata kërkojnë mbështetjen tonë. Është themeli i organizatës sonë. Në fakt, OSBE-ja është krijuar për këtë arsye specifike dhe vizioni i kryesisë sonë qëndron në esencën e misionit të OSBE-së”, theksoi Osmani.
Ministri Osmani theksoi se kryesimi do të përpiqet të forcojë punën në terren, si një parakusht i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së njerëzve që janë përfituesit realë të aktiviteteve të OSBE-së. Maqedonia e Veriut do të promovojë, mbështesë dhe forcojë punën e OSBE-së në terren, do të bëjë përpjekje për të përmirësuar koordinimin dhe përgjegjësinë e përbashkët në realizimin e aktiviteteve të nevojshme për të sjellë ndryshime pozitive, tha Osmani.
“OSBE-ja ka dëshmuar rezultate nga aktivitetet e saj në rajone të ndryshme. Këtu e kam fjalën për përvojën e vendit tonë. Si vend nikoqir i një misioni në terren të OSBE-së, vendi ynë mund të dëshmojë për përfitimet e pranisë në terren të OSBE-së. Jam i sigurt se vendet tjera poashtu nikoqire të misioneve në terren të OSBE-së e ndajnë të njëjtin mendim. Prandaj, nuk duhet të jetë e vështirë të kuptohet se prioritet i kryesimit tonë me organizatën është fokusimi tek njerëzit”, theksoi Osmani.
Prioritet i presidencës së Maqedonisë së Veriut do të jetë siguria e njerëzve në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale, me theks të veçantë në situatën në Ukrainë, tha Osmani.
“Ukraina do të mbetet prioriteti ynë kryesor. Agresioni duhet të ndalet! Shkatërrimi dhe vrasja e popullatës civile është e papranueshme. Është shqetësuese të shohësh njerëzit teksa vuajnë. Pasojat dhe kostoja e kësaj lufte për rajonin e OSBE-së dhe më gjerë janë të mjerueshme dhe të padurueshme”, tha Osmani.
Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, po ashtu ka theksuar se jostabiliteti rajonal dhe potenciali për konflikte të reja do të kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Ai tha se funksionet dhe aktivitetet thelbësore të Organizatës duhet të ruhen, duke pasur parasysh se ajo është në gjendje të ofrojë mbështetje për rajonet e ndjeshme dhe të mbetet fleksibil në trajtimin e sfidave.
“Gjatë vitit të ardhshëm, do të fokusohemi në ofrimin e mbështetjes për një OSBE funksionale dhe fleksibile, duke ofruar një grup të larmishëm mjetesh që do të ndihmonin në rivendosjen e paqes dhe sigurisë, parandalimin e konflikteve dhe promovimin e bashkëpunimit në të gjithë rajonin e OSBE-së, si dhe promovimin e sigurisë njerëzore, duke ofruar mbështetje për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe bashkëpunim mjedisor”, tha Osmani.
Mundësimi dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimit si parakusht për siguri të gjithanshme do të jenë gjithashtu në agjendën e kryesimit tonë me OSBE-në, tha Osmani.
“Besimi ynë i ndërsjellë është minuar thellësisht. Megjithatë, jam i bindur se shpresat tona për një të ardhme më të mirë për Organizatën tonë, vendet që përfaqësojmë dhe njerëzit të cilëve u shërbejmë mbeten të larta. Bëhet fjalë për ta, është fjala për njerëzit. OSBE duhet të japë rezultate në kohë të vështira,” vuri në dukje Ministri.
Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, theksoi domosdoshmërinë e ofrimit të mbështetjes shtesë për Organizatën për t’iu përgjigjur detyrës së saj, siç është miratimi sa më i shpejtë i buxhetit të vetëm të organizatës, duke shtuar se parimet dhe zotimet nuk duhet të mbesin thjesht fjalë.
“Në prag të 50-vjetorit të miratimit të Dokumentit të Helsinkit, historia do të na kujtojë për veprat tona, jo për premtimet, mendimet dhe deklaratat tona. Fjalët duhet t’i kthejmë në vepra, nëse duam të sigurojmë funksionalitetin e OSBE-së”, ka theksuar Osmani.
Në fjalimin e tij, Osmani e informoi Këshillin e Përhershëm për planin për prezantimin e pozitës së Përfaqësuesit Special të Kryesuesit për shoqëri civile, si dëshmi e përkushtimit për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve, duke theksuar se nuk ka demokraci të shëndoshë pa një shoqëri civile të zëshme, të gjallë.
Osmani tha se si vend kryesues i OSBE-së gjatë gjithë vitit, pret mbështetje në punë nga të gjitha vendet pjesëmarrëse.
“Ne llogarisim në mbështetjen e shteteve pjesëmarrëse dhe strukturës më të gjerë të OSBE-së, e cila përfshin Sekretariatin e OSBE-së, misionet në terren të OSBE-së, institucionet e pavarura, Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe përfaqësuesit specialë që punojnë për çështje të rëndësishme”, tha ai.
Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani në fjalimin e tij prezantoi synimin për të ftuar Finlandën për për t’iu bashkuar formatit të Trojkës së OSBE-së dhe njoftoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme për sfidën që e pret në vitin 2023.
“Maqedonia e Veriut është e gatshme të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë, duke pasur parasysh se është privilegj për vendin tonë ta kryesojë këtë Organizatë. Këtë herë, sukseset dhe dështimet tona do të jenë edhe tuajat. Kohët e vështira në të cilat jetojmë kërkojnë mençuri, përgjegjësi për veprimet tona dhe përkushtim ndaj parimeve të Dokumentit Përfundimtar të Helsinkit. Ata janë feneri ynë i shpresës, por edhe një zjarr sinjalizues se këto parime nuk janë të negociueshme. Ata do të jenë Kodi ynë i Vlerave dhe Sjelljes”, tha Osmani.
Në fund të fjalës së tij, Osmani tha se nuk duhet t’i frikësohemi të ardhmes, por se duhet të shfrytëzohet e sotmja duke punuar për një të nesërme më të mirë, për të ardhmen e OSBE-së dhe të ardhmen e njerëzve.
Nga 1 janari, Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së – organizata më e madhe rajonale e sigurisë në të cilën janë anëtarë 57 vende dhe 11 vende partnere mesdhetare dhe aziatike të Organizatës. Presidenca po zhvillohet në një kohë kur bota po përballet sërish me sfidën më të madhe – agresionin ushtarak rus në Ukrainë, i cili përfaqëson një shkelje flagrante të Kartës së OKB-së, të premisave bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe mbi të gjitha të vlerave të njerëzimit.
Motoja e presidencës do të jetë “Bëhet fjalë për njerëzit”.
Maqedonia e Veriut, si pjesë e treshes kryesuese, ndërsa në përputhje me formatin e vendosur, vitin e kaluar kryesoi grupin mesdhetar të partnerëve të OSBE-së – Algjeria, Egjipti, Izraeli, Jordania, Maroku dhe Tunizia, dhe në të njëjtën kohë me bashkë- kryetar në vitin e parë të pjesëmarrjes sonë në treshe, organizoi Konferencën Mesdhetare midis OSBE-së dhe vendeve partnere mesdhetare në Jordani.
Në vitin 2023, Maqedonia e Veriut do të marrë gjithashtu presidencën me dy platforma të tjera: Kartën e Adriatikut – A5 dhe Procesin për Bashkëpunim në Evropën Juglindore – (PBEJ) nga qershori.