Katër shqiptarë u kapën me 353 kg kokainë në dhomën e hotelit
353 kg kokainë janë sekuestruar e 4 shqiptarë janë vënë në pranga nga Antimafia Italiane e cila ka blinduar çdo informacion mbi këtë hetim e megasekuestrim droge, raporton OraNews. Operacioni është ekzekutuar në rajonin e Ligurias por hetimet janë kryer nga Antimafia e Barit, e cila prej disa kohësh mbante nën mbikëqyrje 4 trafikantët shqiptarë.
353 kg kokainë janë kapur në një dhomë të thjeshtë hoteli ku prej disa ditësh po qëndronin katër shtetasit shqiptarë.
Akuza ndaj tyre është trafik droge me rëndesën e sasisë së madhe të drogës që kishin në zotërim.
Katër shqiptarë janë persona të panjohur në zonën ku u arrestuan e pronari i hotelit rezulton i pa përfshirë në këtë ngjarje.
Katër shtetasit shqiptarë pak orë më parë kanë dalë para autoriteteve të drejtësisë italiane, duke zgjedhur të mos flasin e mos të japin asnjë dëshmi përballë prokurorit Massimiliano Bolla e gjykatëses së hetimeve paraprake Laura De Dominicis, në Gjykatën e Savonës.
Sipas rrjedhës së ngjarjeve, katër shqiptarë, të cilët mbrohen nga avokatët Mario Iavicoli e Alessandro Cecon, kanë qëndruar për disa ditë në këtë hotel në komunën Celle Ligure derisa kanë ndërhyrë forcat e Antimafias së Barit e të Guardia di Finanza së Barit.
Nuk ka për momentin asnjë informacion më shumë mbi detajet e këtij operacioni e autoritetet italiane ruajnë sekretin maksimal të hetimeve, si dhe mbi identitetin e trafikantëve shqiptarë, prejardhjen e destinacionin e drogës, dhe mbi bashkëpunëtorët e grupimet kriminale për të cilët punonin.
Pa dyshim një operacion i tillë kërkon bashkëpunimin me autoritetet e antidrogës e antikrimit shqiptar.
Por dhe nga Shqipëria duket se ky operacion po ruhet me maksimumin e rezervës së informacionit.
Sasia e madhe e drogës së kapur e operacioni i drejtuar nga Antimafia e rajonit të Barit, territori italian ku grupet kriminale shqiptare janë fortësisht të fuqishëm e të lidhur me mafia autoktone, rrëfen mbi rëndësinë e rrezikshmërinë e këtij aktiviteti kriminal.