Retrospektivë: Standardi i studentëve dhe arsimi i lartë në vitin 2022

Përmes reagimeve të zëshme ndaj padrejtësive, negociatave me shtetin dhe protestave afatshkurtra, studentët në Maqedoni këtë vit arritën të mbrojnë atë që u takon dhe që dikush donte t’ua merrte dhe ta ndalojnë përkeqësimin e mëtejshëm të standardit të brishtë studentor të prekur nga kriza ekonomike. Arsimi i lartë vitin 2022 e përfundon me njoftime për përgatitjen e një ligji të ri i cili duhet të ndihmojë në përmirësimin e standardit të studentëve dhe përforcimin e cilësisë së arsimit, të cilin vazhdon të gërryejë korrupsioni, transmeton Portalb.mk.

Meta.mk i rikujton temat dhe ngjarjet më të rëndësishme që e shënuan vitin e kaluar 2022 për studentët në Maqedoninë e Veriut.

Studentët nuk mbetën pa vaktet e subvencionuara studentore

Masa me të cilën shteti subvencionon vaktet e studentëve dhe e cila filloi të zbatohet në vitin 2021, në fillim të vitit akademik 2022/2023 u përball me një sërë pengesash. Edhe pse kishin kohë një verë të tërë, ndryshimet e ligjit me të cilat duhej të mundësohej vazhdimi i pagesës së vakteve të subvencionuara studentore edhe për këtë vit, asesi nuk mund të arrinin në seancë kuvendore, e kur më në fund u gjetën në rend të ditës, hasën në reagime të zëshme nga studentët dhe komuniteti akademik.

Në ndryshimet që duhej t’i votonin deputetët në Kuvendin e Maqedonisë ishin paraparë kritere shumë më të rrepta se ato në ligjin e parë për vaktet e subvencionuara të studentëve. Kështu, pa mjete për vakte studentore desh mbetën studentët të cilët marrin bursa shtetërore, apsolventët dhe ata që kanë marrë numër më të vogël të provimeve.

Deputetët menjëherë njoftuan se do ta tërheqin ligjin e propozuar dhe se do të kenë një takim me studentët për zgjidhjen e problemit. Ndërkohë që përfaqësuesit zyrtarë të studentëve dhe organizatat studentore po zhvillonin takimin me institucionet shtetërore në Kuvend, dhjetëra studentë të organizuar në lëvizjen e ashtuquajtur Rezistenca Studentore protestonin para Kuvendit. Takimi përfundoi me marrëveshje, sipas së cilës kriteret të cilat ngjallën pakënaqësi u tërhoqën dhe në fuqi mbetën kushtet të cilat studentët duhej t’i plotësonin vitin e kaluar.

Sipas marrëveshjes pagesa për vaktet si për fillim do të paguhej si edhe vitin e kaluar, me atë që studentët mjetet do i pranojnë në bazë mujore në llogaritë e tyre rrjedhëse, që pastaj nga muaji mars të fillojë të zbatohet një zgjidhje sistemike. Studentët pranuan që si për fillim shuma e subvencionuar për një vakt të mbetet 120 denarë, por nga ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri morën premtim se nga muaji mars kjo shumë do jetë më e madhe.

Dy muaj e gjysmë nga fillimi i vitit akademik, studentët më në fund e pranuan pagesën e parë për vaktet e subvencionuara studentore. Në llogaritë e tyre u derdhën mjete me vlerë prej 6.480 denarë, para këto me të cilat duhet të blejnë ushqime të shëndetshme, por të cilat, si edhe vitin e kaluar, me sa duhet do të shpenzohen edhe për qëllime të tjera.

Plogështia e institucioneve u dëshmua edhe këtë vit – Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) vonoi me pagesën e fondeve të para për vaktet e subvencionuara, ndërsa studentët nga disa institucione të arsimit të lartë në vend mbetën dhe pa këto para sepse fakultetet e tyre nuk e dorëzuan në kohë dokumentacionin e nevojshëm në MASH.

Deri në muajin mars studentët duhet të marrin edhe tre pagesa të vakteve të subvencionuara para se të fillojë zbatimi i zgjidhjes sistemike të paralajmëruar. Deri më atëherë përfaqësuesit e studentëve do të marrin pjesë në takimet e punës në MASH për të kontrolluar përgatitjen e vaktit dhe për të kontribuar në ndërtimin e masës financiare sipas nevojave të tyre. Shteti ka kohë të mjaftueshme për ta përgatitur sistemin për zbatimin e kësaj mase siç ishte paraparë në vitin 2020 sipas shembullit të Sllovenisë, por duke marrë parasysh përvojën e mëparshme, nuk përjashtohet mundësia që institucionet të papërgatitura të presin marsin dhe sërish të marrin vendime “5 minuta në 12”.

Shkundje e aktivizmit studentor

Përpjekjet e shtetit për të kufizuar të drejtën e vakteve i bashkoi studentët dhe zgjoi aktivizmin pas dy viteve pasive të kaluara në pandeminë e Covid-19. Në marshin me rastin e 17 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Studentëve, të rinjtë dërguan mesazhin se do ta ngrenë zërin që standardi studentor të mos jetë “nën të gjitha standardet”. Marshi u organizua nga parlamentet studentore universitare të universiteteve shtetërore dhe private, lëvizja Rezistenca Studentore dhe disa organizata të tjera studentore.

Pas një minute heshtjeje për, siç thanë ata, vdekjen e standardit studentor, studentët vendosën kartonë të verdhë para godinës së MASH-it.

Partitë politike nuk lanë pa e shfrytëzuar pozitën e pavolitshme të studentëve dhe në tentativë për të joshur të rinjtë, ofruan, pak a shumë, zgjidhje të tyre të mundshme për problemet e studentëve.

Situata e rënduar financiare për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe agresionit rus në Ukrainë, me të drejtë ndodhet në majën e kullës së sfidave me të cilat përballen studentët sot.

Përveç çmimeve të rritura të produkteve ushqimore, studentët përballen edhe me bileta më të shtrenjta të autobusëve për transport ndërqytetar. Si pasojë e rritjes së çmimeve të karburanteve, numri më i madh i transportuesve të udhëtarëve jo vetëm që i rritën çmimet e biletave, por edhe i ndërprenë edhe lirimet që i bënin për studentët me çka biletat për to ishin më të lira se ato për udhëtarët e zakonshëm. Tani që çmimet e karburanteve u stabilizuan, një pjesë e transportuesve përsëri filluan të zbatojnë bileta për studentët, por pjesa më e madhe e tyre i mbajtën çmimet e larta.

Bursat më të larta do të vlejnë për të gjithë studentët

Edhe një betejë e fituar e studentëve. Bursat më të larta, e drejtë kjo e cila ju mohua një pjesë të studentëve, megjithatë do vlejnë për të gjithë studentët. Pas një procesi disamujor të shoqëruar me një peticion online, kërkesa direkte pranë institucioneve dhe pas diskriminimit të tërthortë të konstatuar nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD), shteti u pajtua që asnjë studenti të mos i mohohet e drejta për bursë më të lartë.

Bursat që u rritën në vitin 2021 vlenin vetëm për aplikantët e rinj, ndërsa studentët që kishin fituar të drejtën e bursës në vitet e mëparshme vazhduan të merrnin shumat e vjetra dhe dy herë më të ulëta. Për këtë arsye, mbi 8000 studentë nënshkruan një peticion online, ndërsa KPMD u kërcënua me kallëzim për kundërvajtje për shkak të mosveprimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Qeverisë pas konstatimit të diskriminimit indirekt në politikën shtetërore të bursave nga ana e Komisionit.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës muajin e kaluar njoftuan se janë siguruar mjete buxhetore për pagesën shtesë të bursave për ata studentë që janë dëmtuar vitin e kaluar dhe se pasi shuma e parashikuar të kalojë në buxhetin e ministrisë, do të vijojë pagesa për studentët dhe nxënësit dhe do të bëhet në mënyrë retroaktive.

Korrupsion, diskriminim dhe çrregullim i shëndetit mendor

Nevoja për një standard më të lartë studentor, kushtet më të mira në konviktet studentore dhe digjitalizimi i arsimit ishin vetëm “ajka” e kërkesave të studentëve në vitin që lamë pas. Nën sipërfaqe janë shtresuar edhe probleme të tjera të cilat e pengojnë përparimin dhe zhvillimin e studentëve në vend, duke përfshirë këtu korrupsionin, pabarazinë dhe shëndetin mendor të çrregulluar.

Meta.mk nëpërmjet një sërë tekstesh raportonte për rastin me profesoreshën në Fakultetin e dizajnit dhe teknologjisë së mobileve dhe enterierit (FDTME) në Shkup, e cila i ka kushtëzuar studentët që ta blejnë librin e saj personalisht nga ajo, nëse duan ta kalojnë provimin dhe të marrin nënshkrim për rregullshmërinë.

Anketa të cilën e realizuam tregoi se mbi 30% e studentëve janë përballur me kushtëzime të këtilla nga ana e profesorëve të tyre, që paraqet një formë të korrupsionit në komunitetin akademik.

„Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm luftë e studentëve dhe mendoj se ajo është një luftë në një nivel shumë më të lartë dhe në të duhet të kyçet vetë shteti, bashkë me organet e tij – me MASH-in, por edhe me UKM-në, sepse problemi kryesor këtu është zbulimi i këtyre rasteve, duhet të fillohet nga faza e zbulimit të atyre rasteve, si ai në FDTME. Mendoj se për këtë temë duhet folur publikisht, e pastaj në mënyrë aktive të kalohet drejt gjetjes së zgjidhjes adekuate, proces ky në të cilin do kyçej PSU, sepse janë studentët ata që i vuajnë pasojat, ndërsa ne jemi këtu për t’i mbrojtur të drejtat e tyre“, tha kryetari i Parlamentit Studentor Universitar pranë UKM-së, Sllavço Temellkovski.

Në një anketë tjetër të Meta.mk, më shumë se 91% e studentëve kërkuan këshillimore psikologjike në fakultetet, e të cilat për momentin janë të hapura vetëm në disa institucione të arsimit të lartë.

Një hulumtim i Forumit Arsimor Rinor (FAR) tregoi se një e treta e studentëve në vend në një moment të caktuar janë përballur me diskriminim në fakultetet dhe universitetet shtetërore, ndërsa vetëm 6,6 % kanë raportuar se kanë qenë viktima të diskriminimit.

Digjitalizimi – proces i kushtueshëm, buxhet modest

Vazhdon të mbetet nevoja për digjitalizimin e procesit administrativ dhe arsimor të universitetit të parë dhe më të madh në vend – UKM-së, por edhe për përforcimin e infrastrukturës ekzistuese digjitale. Pikërisht ky universitet në disa raste ka qenë cak i sulmeve të hakerëve. Sistemi “iKnow” ka qenë vazhdimisht i padisponueshëm për shkak të sulmeve DDoS, autori i të cilave mbeti i panjohur për publikun, ndërsa hakerët pushtuan edhe faqen zyrtare të universitetit në Facebook, në të cilën publikoheshin përmbajtje të papërshtatshme.

Në shumë raste binte nga funksioni edhe ueb-faqja e MASH-it, e cila në shtator, në vrullin e konkurseve dhe nevojës së studentëve dhe nxënësve për informacion, mbeti joaktive për dy javë të plota. Përgjegjësi nuk u gjet, ndërsa nga ministria njoftuan se do kalojnë në një platformë të re dhe më të sigurt.

Për digjitalizimin u njoftua edhe gjatë procesit të vendosjes së studentëve në konviktet studentore nën kompetenca të Konviktit Studentor Shtetëror “Skopje”, gjë që në muajin shtator dhe tetor nuk ndodhi, e kështu studentët edhe këtë vit pritën me orë të tëra radhë të gjata për tu vendosur në konvikte. Në fund të vitit, KSSH “Skopje” më në fund publikoi shpallje për studentët e konvikteve që të aplikojnë për të shumëpriturën Kartelë Studentore, e cila edhe pse duhej të ishte pa pagesë, studentëve u kushtoi nga 300 denarë.

Ligj i ri për arsimin e lartë

Në ndërkohë filloi përgatitja e një ligji të ri për arsimin e lartë. Ministri Jeton Shaqiri disa muaj më parë ka filluar një nismë për këtë çështje, por deri më tani MASH nuk ka kumtuar detaje për atë se çfarë më saktësisht do të ndryshohet, edhe pse nga atje informuan se një grup ekspertësh është duke i analizuar propozimet e dorëzuara. Sindikata Akademike e Pavarur (SAP) doli me reagim se ndryshimet që po përgatiten po bëhen në mënyrë jotransparente. Profesori Atanas Koçov nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike tha se nevojitet një ligj i ri në të cilin prioritet do të jenë studentët dhe hulumtimet shkencore të mbështetura nga Bashkimi Evropian (BE).

Në fillim të vitit të ardhshëm, mbetet të shihet se çfarë risi parashikohen në propozim-ligjin për arsimin e lartë.

Lidhja e Sindikatave të UKM-së këtë vit disa herë ka kërkuar takim me qeverinë për të siguruar një pagë dinjitoze për punonjësit e universitetit. Në fund të vitit kërkesat e tyre u plotësuan dhe u njoftua se do të marrin paga dukshëm më të larta për ta përmirësuar gjendjen materiale. Marrëveshja kolektive do të fillojë të zbatohet në vitin 2024 dhe 2025.

Nga zhvillimet e tjera lidhur me arsimin e lartë dhe standardet studentore gjatë vitit të kaluar mund të veçohet vendimi i shtetit për t’i liruar nga pagesa e participacionit për studime personat me aftësi të kufizuara, personat me status fëmijë pa prindër dhe kujdes prindëror, prindërit e papunë të fëmijëve dhe personat me status të invalidëve të luftës.

Në ndërkohë, UKM vazhdoi të fundoset në listën e 2.000 universiteteve më të mira në botë dhe nëse vazhdon me të njëjtin ritëm. vitin e ardhshëm, apo një vit më pas do të zhduket plotësisht edhe nga kjo listë.

Gjatë vitit të kaluar Meta.mk publikoi intervistë me ish kryetaren e PSU UKM, Еva Cvetkovska, por edhe me kryetarin aktual Sllavço Temellkovski me të cilët u bisedua për sfidat dhe problemet e studentëve. Ombudspersoni studentor pranë UKM-së sqaroi se si studentët e këtij universiteti mund të denoncojnë për shkelje të të drejtave të tyre studentore.

Mbetet njoftimi për hapjen e Qendrës Kulturore Studentore, ndërsa për vitin e ardhshëm shteti paralajmëroi vazhdimin e ndërtimit të godinave të FShIIK-së dhe Fakultetit të Edukatës Fizike, Sportit dhe Shëndetit, si dhe rikonstruksionin e të gjitha konvikteve shtetërore për studentë .

Meta.mk vazhdon t’i ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet lidhur me standardin e studentëve dhe arsimin e lartë. Në fakt, një pjesë e kërkesave të cilat i parashtruan studentët gjatë protestave dhe marshit të nëntorit burojnë nga çështje dhe tema të cilat i inkurajoi dhe për të cilat në mënyrë aktive shkroi pikërisht Agjencia e lajmeve Meta.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button