MPJ: Këto janë prioritetet e kryesimit me OSBE-në

Sot Ministria e Punëve të Jashtme prezantoi prioritetet e kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, të njëjtat pritet që me 12 janar të shpalosen edhe para Këshillit të Përhershëm në Vjenë, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani deklaroi se misioni në terren i OSBE-së në vend ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe prania e tyre në vend pas pavarësisë, ka kontribuar shumë në stabilitetin tonë të brendshëm dhe zhvillimin gradual të modelit të sotëm të demokracisë funksionale multietnike.

“Këtë e konsideroj si avantazhin tonë në kuadër të presidencës. Thënë kushtimisht si një ‘përdorues i kënaqur’, ne kemi një përvojë autentike të rëndësisë së misioneve në terren dhe pranisë së OSBE-së në rajonet që konsiderohen të kërcënuara”, tha Osmani.

Ai nënvizoi agresionin praktikisht aktiv ushtarak të një vendi anëtar ndaj një shteti tjetër anëtar të Organizatës si një sfidë e veçantë për rikthimin e funksionalitetit të vetë organizatës.

“Kjo nuk është e lehtë. Është shumë e vështirë, dhe të jem i drejtpërdrejt – është gjëja më e vështirë në politikë. Të gjesh një mënyrë për të bindur dy palët në një dialog, në një bisedë dhe në jetën e zakonshme është e vështirë, kurse në politikë edhe më e vështirë. Por ka gjithmonë një por; pa marrë parasysh se sa palët janë të mbyllur në llogoret e tyre politike, njerëzit e thjeshtë, qytetarët, civilët – ata duan paqe dhe stabilitet. Nëse është e nevojshme, ne do të shkojmë drejtpërdrejt te njerëzit në terren për ta marrë atë mesazh dhe për ta futur në marrëdhëniet diplomatike, në marrëdhëniet ndërkombëtare”, sqaroi Osmani duke shtuar se vendi i parë që do të vizitojë si kryesues do të jetë Ukraina.

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) do të shpenzojë rreth 100.000 euro për aktivitetet e marrëdhënieve me publikun për kryesimin e Maqedonisë me OSBE-në.

Është lidhur marrëveshje me Shoqërinë për aktivitete menaxhuese dhe këshilluese agjencinë “Rating SP-M” DOOEL për 6.100.000 denarë. Në tender thuhet se shërbimet e komunikimit strategjik janë të nevojshme në pritje të kryesimit të OSBE-së.

MPJ shpenzon paratë e qytetarëve për agjenci PR, pavarësisht se Ministria ka shërbimin e saj të marrëdhënieve me publikun, dhe qeveria punëson dhe angazhon njerëz për PR, fotografë dhe incizues. Ministria e Punëve të Jashtme thotë se mbulimi i një numri të madh të çështjeve që kanë të bëjnë me kryesimin e OSBE-së nënkupton rritjen e ndjeshme të nevojave për komunikim dhe për këtë arsye përmes një procedure transparente tenderimi kanë angazhuar një operator të veçantë ekonomik.

Më 1 janar, Maqedonia filloi presidencën e saj me OSBE-në, organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë, e cila përfshin 57 vende pjesëmarrëse nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia. Kryesimi i Maqedonisë me OSBE-në do të zgjasë gjatë gjithë vitit 2023.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button