Të rikthehen korrespodentët e MIA-s nga Brukseli, Uashingtoni dhe Athina, kërkuan SHGM dhe SPGM
Ligji i ri për Agjencinë Informative Mediatike (MIA), kthimi i buxhetit të konfiskuar dhe rritja e tij për vitin e ardhshëm dhe mbështetja e menjëhershme në përpjekjet për arritjen e zgjidhjes për funksionimin e papenguar të korrespondencave të huaja të MIA-së, të cilat janë filtri dhe vegla e parë në luftën kundër dezinformatave, është kërkuar sot në konferencën për media të Shoqatës së Gazetarëve (SHGM) dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve (SPGM) kushtuar gjendjes financiare të agjencisë shtetërore.
Kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski theksoi se nevojitet mbështetje e menjëhershme në përpjekjet për arritjen e zgjidhjes për funksionimin e papenguar të korrespondencave të huaja të MIA-s dhe në vend të mbylljes së korrespondencave ekzistuese nevojitet një rrjet edhe më i fortë i korrespondentëve, të cilët do të punojnë në interes të opinionit dhe në kontributin e pluralizmit mediatik për çështjet me interes publik për qytetarët.
“MIA si gjenerator i lajmeve dhe shërbimit informativ për qytetarët, duhet të jetë filtri i parë i informacionit për opinionin e gjerë dhe mjet kyç për luftimin e dezinformatave që paraqesin problem gjithnjë e më të madh, veçanërisht në epokën e mediave digjitale. Prandaj është e domosdoshme që MIA të ketë një rrjet të fuqishëm të korrespondencave jo vetëm në Maqedoni por edhe nga qendrat e rëndësishme të zhvillimeve në botë dhe në Ballkan”, tha Çadikovski.
Çadikovski tha se me heqjen e rrjetit të korrespodentëve të MIA-s nga Brukseli, Uashingtoni dhe Athina, ndikon drejtpërdrejt edhe në shkeljen e standardeve profesionale të gazetarëve, me çka me humbet objektiviteti gjatë informimit, shfaqet rreziku nga informacionet e paverifikuara, e si rrjedhojë edhe të pasakta.
Çadikovski theksoi se nevojitet edhe ligj i ri për MIA-n, dhe se SHGM-ja, në analizat e saj të rregullta që i përgatit dhe të cilat janë në dispozicion të publikut, para thuajse dy viteve ka konstatuar se zgjidhja ligjore që ka të bëjë me MIA-n është e keqe dhe se lehtë mund të ndikojë në gjendjen financiare të kësaj agjencie, që ishte edhe motivi i konferencës së sotme për media.
Kryetari i SPGM-së Pavle Bellovski i bëri thirrje Qeverisë të gjejë modus për funksionimin e mëtutjeshëm përkatës të kësaj medie, respektivisht të rishqyrtojë vendimin lidhur me MIA-n, respektivisht të shikojë rëndësinë e punës së gazetarëve dhe mediave nga shtëpia mediatike dhe të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar buxhetin e nevojshëm për funksionimin efektiv dhe efikas të saj.
“Veçanërisht në këtë periudhë të aderimit të Maqedonisë drejt BE-së, është e papranueshme që opinioni, respektivisht qytetarët, të privohen nga informacionet objektive dhe profesionale nga shtetet në të cilat merren vendime për çështje të rëndësishme, si për të ardhmen e BE-së, ashtu edhe për rrjedhën e bisedimeve për aderim”, tha Bellovski.
Ai theksoi se në vend që të flasim për përmirësimin e kushteve në mënyrë që MIA të bëhet shembull i një mjedisi të shëndetshëm pune, ne sot flasim për rrënim dhe regres.