Kryediplomatja gjermane: Populli ukrainas mbron edhe lirinë tonë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se vendet e G7-tës mbeten fuqishëm të përkushtuara për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Si G7, ne e bëmë shumë të qartë se nuk do të lëkundemi në mbështetjen tonë për Ukrainën, për sa kohë që Rusia zhvillon këtë luftë brutale agresioni dhe të paligjshme. Populli i Ukrainës mbron edhe lirinë tonë”, tha Baerbock në një konferencë për media në Berlin me homologun e saj danez, Lars Lokke Rasmussen.

Baerbock, vendi i së cilës kryeson me G7-tën deri në fund të vitit, theksoi se më herët gjatë ditës zhvilloi takim virtual me ministrat e tjerë të jashtëm të G7-tës, duke u fokusuar veçanërisht në mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën.

Në një deklaratë për shtyp, ministrat e jashtëm të G7-tës dënuan sërish ashpër agresionin e paligjshëm, të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.

Ata shprehën gjithashtu solidaritetin e tyre të plotë dhe mbështetjen e palëkundur për Ukrainën dhe popullin e saj për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Grupi G7 është emri i forumit konsultativ të shtatë vendeve më të fuqishme industriale në botë.

Grupi përbëhet nga krerët e qeverive të SHBA-së, Kanadasë, Japonisë, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button