Pas tërheqjes së “Makpetrolit”, EMV me thirrje të re për përzgjedhjen e një kompanie që do të furnizojë vendin me gaz

Pasi “Makpetrol” dje informoi se nga 1 janari nuk do të importojë dhe dërgojë gaz natyror për konsumatorët e saj, kompania shtetërore EMV Shitje njofton sot se ka shpallur thirrje për oferta nga kompani vendase dhe të huaja që kanë mundësi të ofrojnë dhe dorëzojnë sasi të nevojshme të gazit natyror për prodhimin e energjisë termike për termocentralet Lindore, Perëndimore, Energetika dhe Shkupi Veri, si dhe për pjesën tjetër të konsumatorëve të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut, kryesisht për kapacitete më të mëdha prodhuese dhe shërbimi, transmeton Portalb.mk.

“Duke qenë se thirrja e shpallur më herët nga SHA EMV kishte oferta të cilat nuk ishin verifikuar, ndërsa furnizuesi paraprak Promgas – Makpetrol, me të cilin kishim kontratë deri më tani, nuk ka dorëzuar ofertë, është shpallur thirrje e re nga EMV Shitje. Thirrja do të jetë e karakterit të hapur, si për nga sasia, ashtu edhe për nga kohëzgjatja e dorëzimit nga furnizuesit, për periudhën 1.1-30.4.2023″, njoftojnë nga EMV.

Ndryshe, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se “Makpetrol” po sillet në mënyrë të papërgjegjshme, por gjithashtu thekson se hapat e ndërmarrë nga shteti në drejtim të liberalizimit të tregut janë në drejtim të shmangies së situatës së varësisë së plotë nga Federata Ruse në zona e gazit natyror.

“Ne po përpiqemi për liberalizimin dhe të gjitha konsultimet kanë përfunduar dhe tashmë jemi duke e zbatuar obligimin që kemi marrë si shtet ndaj komunitetit energjetik, përmes rregulloreve të Bashkimit Evropian. Nëse nuk do të merrnim një vendim të tillë, mund të viheshim në një situatë ku do të ishim plotësisht të varur nga Federata Ruse dhe çfarë do të kishte ndodhur nëse brenda natës do të ndalohej furnizimi me gaz natyror për vendin tonë”, tha për TV Sitel ministri Bekteshi .

Bekteshi shtoi se “Makpetrol” kërkon të jetë monopol në treg përgjithmonë, por kjo nuk do të ndodhë.

“Kompania Makpetrol është informuar për negociatat e zhvilluara nga shteti përmes GA-MA me Bulgartransgaz me qëllim të stabilizimit të tregut të furnizimit me gaz. Makpetrol ka 21 vjet që ka monopolin e furnizimit me gaz në vend, por koha e monopoleve ka mbaruar, ne mbetemi për liberalizimin e tregut, duke përfshirë edhe tregun e gazit natyror, siç bëjmë në sektorët e tjerë”, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

“Me ndihmën e partnerëve tanë strategjikë nga Bashkimi Evropian, me punën e mundimshme të NER dhe GA-MA, arritëm të çlirojmë kapacitetet e gazsjellësit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i cili ishte marrë plotësisht me qira nga Gazprom, ku hapet tregu dhe sipas çmimeve konkurruese, që është sipas cilësisë, kush është cilësor do të mund të furnizojë me gaz konsumatorët në vendin tonë”, shtoi Bekteshi.

Në kumtesën e djeshme të  “Makpetrol” thuhej se shkaku për situatën e tillë janë kushtet e reja për punë që i parashikon, sipas tyre, marrëveshja herët e nënshkruar për interkoneksion mes ndërmarrjes shtetërore “GA-MA” SHA dhe “Bullgartransgaz”, me çka nuk janë të zbatueshme kushtet e deritanishme, sipas të cilave kompania importon dhe shpërndan gaz natyror deri te konsumatorët e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button