Meta fakt: Gjimnazistët nuk i kanë marrë tabletët e premtuar, procedura po vijon

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, gjatë fushatës së saj parazgjedhore “Programi për Shkupin modern” premtoi se të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe të gjithë mësimdhënësit do të marrin tablet- kompjuterë dhe se mësimdhënësit do të trajnohen për përdorimin e pajisjeve. Nga Qyteti i Shkupit thonë se për momentin po punohet për këtë premtim, prandaj ne e vlerësojmë si pjesërisht të realizuar. Megjithatë, për momentin nxënësit nuk i kanë në duar tabletët e premtuar që do mund t’i përdornin gjatë mësimit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në programin parazgjedhor „Programi për Shkupin modern“, në faqen numër 40, në pjesën për digjitalizimin “Digjitalizimi i shkollave të mesme“, themelues i të cilit është Qyteti i Shkupit, është shkruar ky premtim i Arsovskës:

“Avancim i procesit mësimor dhe ndjekje e teknologjive moderne përmes blerjes së pajisjeve informatike (tabletë për çdo nxënës dhe mësimdhënës) dhe trajnim i kuadrove mësimore për të njëjtat.“

Për përgjigje në këtë temë Meta.mk u drejtua tek Qyteti i Shkupit, nga ku u përgjigjën se realizimi i projektit për digjitalizimin e shkollave të mesme përfshin dy masa komplementare: blerjen e pajisjeve teknologjike dhe trajnimin e nxënësve dhe mësimdhënësve.

„Për nevojat e shkollave të mesme, qyteti ka siguruar kompjuterë portativë dhe pas pajisjes përkatëse në shkolla do të zhvillohen trajnime shtesë për përmirësimin e aftësive digjitale të nxënësve dhe mësimdhënësve në qytetin e Shkupit me qëllim përmbushjen e plotë të përcaktimeve të programit”, thanë nga Qyteti i Shkupit.

Kryetarja Arsovska premtoi një program krejtësisht të ri të quajtur Arsim për shekullin 21, në të cilin paralajmëroi se prioritet i pushtetit të qytetit do të jetë siguria e të gjithë fëmijëve, prindërve dhe punonjësve të institucioneve arsimore.

Në programin e saj, Arsovska, në të njëjtën rubrikë për tabletët dhe trajnimet, ka theksuar edhe se: “Qyteti i Shkupit do të vazhdojë t’i pajisë shkollat profesionale me mjete moderne vizuale për realizimin e mësimit praktik dhe do ta mbështesë hapjen e kompanive të vërteta shkollore në shkollat e mesme profesionale. ”

Gjithashtu, gjatë fushatës zgjedhore, Arsovska në një deklaratë u zotua se do të sigurojë arsim cilësor për nxënësit, duke e ndjekur bumin e digjitalizimit.

“Do të fillojmë me një proces digjitalizimi cilësor të shkollave të mesme duke përmirësuar procesin mësimor dhe duke ndjekur teknologjitë moderne përmes blerjes së pajisjeve informatike dhe realizimit të trajnimeve të duhura për mësimdhënësit. Qyteti i Shkupit do të vazhdojë t’i pajisë shkollat profesionale me mjete moderne vizuale për realizimin e mësimit praktik dhe do ta mbështesë hapjen e kompanive të vërteta shkollore në shkollat e mesme profesionale për mësim praktik”, ka deklaruar Arsovska në 26 tetor të vitit të kaluar.

Sigurimi i tablet-kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera teknike për shkollat dhe nxënësit ishte një nga problemet kryesore gjatë zhvillimit të mësimit online në kulmin e pandemisë së COVID-19, kur një pjesë e nxënësve nuk kishin mundësi të kyçen në procesin mësimor.

Nga përgjigjet e marra nga Meta.mk, mund të konstatohet se përmbushja e premtimit për blerjen e kompjuterëve tablet dhe ofrimi i trajnimeve për mësimdhënësit në shkollat e mesme është në proces e sipër.

BURIME:

„Programi për Shkupin modern“, verifikuar më 13.12.2022;

Netpres (26.10.2021): Godina të reja shkollore, biblioteka dhe digjitalizim të shkollave në shekullin 21, verifikuar më 13.12.2022;

Nezavisen (26.10.2021): Arsovska: Godina të reja shkollore, biblioteka dhe digjitalizim të shkollave, verifikuar më 13.12.2022;

Prizma (01.10.2020): Nuk ka „plan B“ për nxënësit në Maqedoni, verifikuar më 13.12.2022;

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button