Tetovë, u asfaltua rruga “Nikolla Teslla”, Kasami paralajmëroi se vitin e ardhshëm do punohet që Tetova mos të ketë rrugë me gropa
Përfundoi asfaltimi i rrugës “Nikolla Teslla” – një ndër rrugët kryesore në qendër të Tetovës, e cila paraprakisht ishte në gjendje të shkatërruar dhe plotë gropa. E njëjta sot u promovua edhe nga autoritetet e Komunës së Tetovës. Kryetari i kësaj komune deklaroi se me asfaltim dhe sanim do vazhdohet edhe vitin e ardhshëm, shkruan Portalb.mk.
Në këtë rrugë prej 165 metrash është shtruar asfalt i ri, kanalizim atmosferik, rrjet i ri i ujësjellësit, sinjalistikë, ndriçim publik si dhe vende të shënuara për parkim.
“Jemi këtu të lëshojmë në përdorim një ndër arteriet kryesore të qytetit, në qendër të qytetit. Këtë rrugë që po e shohim se është ndërtuar me të gjitha standardet”, deklaroi Bilall Kasami, duke shtuar se projektet e tilla në një periudhë së paku dhjetë vjeçare nuk do të kenë nevojë për intervenim.
I pyetur nga Portalb.mk se a do të ndahen më shumë fonde për asfaltimin dhe sanimin e rrugëve në buxhetin e komunës për vitin 2023, Kasami duke qeshur tha: “I mbaruam asfaltimet për sivjet”.
Portalb.mk: Për vitin e ardhshëm?
Kasami: Sigurisht ne do të vazhdojmë me të njëjtën dinamikë edhe vitin e ardhshëm janë të parapame edhe asfaltimi i disa akseve rrugore. Do të vazhdojë asfaltimi i rrugës “Mirçe Acev” në qendër, asfaltimi i rrugës me projekt nëntokësor, kanalizime dhe projekte përcjellëse nga Xhamia e Larme deri te rreth-rrotullimi te fabrika e Teteksit, do të vazhdojë rikonstruimi edhe i rrugës së Shtipit që del te varrezat .Edhe vitin e ardhshëm janë paraparë mjete buxhetore…. që mos kemi rrugë në Tetovë me gropa dhe gjitha rrugët të jenë të asfaltuara.
Ndryshe, edhe pse së fundmi ka pasur intervenime nga autoritetet komunale për sanim të rrugëve, numri i rrugëve që janë të dëmtuara dhe me gropa mbetet i lartë.