Maqedonia e Veriut do të ndihmojë Ukrainën
Në seancën e 106-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, u vendos që të ndihmohet Ukraina, transmeton Portalb.mk.
“Vendim për donacion për Ministrinë për Mbrojtje në Ukrainë. Bëhet fjalë për pajisje dimërore”, raportojnë nga Qeveria.
Raportohet që ndihmat do të jenë në formë të xhemperëve, xhupave, batanijeve, si ndihma nga Ministria për Mbrojtje në RMV.
Ndryshe, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se në mbledhjen e sotme vendosi të anulohet vendimi për pranimin e Oleksandër Onishçenkos në shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Oligarku ukrainas, Oleksandr Onyshenko, ishte deputet në Parlamentin e Ukrainës në vitin 2012 nga Partia e Rajoneve të ish-presidentit pro-rus Viktor Janukoviq. Pas ndërrimit të qeverisë në vitin 2014, ai u bë partner biznesi me presidentin e ri, Petro Poroshenko, deri në vitin 2016, kur Komisioni ukrainas kundër korrupsionit hapi lëndë kundër tij. Më pas ai u arratis në Spanjë.
Autoritetet spanjolle kishin vendosur ekstradimin e tij bazuar në fletarrestin ndërkombëtar nga Kievi, por Onyshenko arriti të ekstradohet në Gjermani. Ky shtet në vitin 2020 ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për ekstradim.