Vesna Dameva u zgjodh kryetare e Këshillit Gjyqësor në vend të Cërvenkovskës

Vesna Dameva është kryetare e re e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si propozim i vetëm Dameva, në seancën e sotme është votuar me dhjetë vota “pro” dhe një “kundër”. Zgjedhja e Damevës vjen pasi Pavlina Cërvenkovska dha dorëheqjen të parevokueshme nga posti i kryetares së Këshillit Gjyqësor javën e kaluar, disa muaj para përfundimit të mandatit të saj, transmeton Portalb.mk.

Pas votimit, Loreta Georgieva, anëtare e Këshillit Gjyqësor, kërkoi që votimi të jetë publik me ngritjen e dorës. Pas përsëritjes së procesit të votimit, rezultati ishte sërish i njëjtë. Dhjetë vota “pro” dhe vetëm një “kundër” (Loreta Georgieva) për zgjedhjen e Damevës për kryetare të Këshillit Gjyqësor.

Pozita e kryetarit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së zgjidhet për një mandat dy vjeçar nga radhët e anëtarëve të këshillit, të cilët i zgjedh Kuvendi.

Ndryshe, parardhësja e Damevës, Pavlina Cërvenkovski u zgjodh kryetare e Këshillit Gjyqësor më 28 prill 2021. Ajo u zgjodh unanimisht dhe pasoi Kiro Zdravevin, mandati i të cilit përfundoi një ditë para kësaj date.

Për zgjedhjen e kryetarit nevojiten tetë vota, ndërsa për Cërvenkovskën “për” votuan të gjithë 12 anëtarët Këshillit Gjyqësor që ishin të pranishëm në seancë.

Si anëtare të Këshillit Gjyqësor, Kuvendi e zgjodhi Cërvenkovskën në dhjetor të vitit 2020. Nga viti 2006 deri në vitin 2020 ka punuar si këshilltare gjyqësore në Gjykatën e Apelin Shkup. Paraprakisht, ajo ka qenë këshilltare në kabinetin e Vlado Buçkovskit derisa ai ishte kryeministër në qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së (2004-2006), si dhe ishte shefe e një departamenti në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa Buçkovski ishte ministër (2002-2004). Ajo ka përvojë edhe si juriste dhe praktikante në Gjykatën Penale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button