BE: I pavërtetë pretendimi për heqje dorë nga propozimi për normalizim marrëdhëniesh

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë të hënën se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave, në një takim urgjent të thirrur nga Bashkimi Evropian në Bruksel, shkruan REL.

Kryeministri Kurti ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes.

Stano ka thënë se “Bashkimi Evropian vazhdon të jetë plotësisht mbrapa këtij propozimi është inkurajon palët që të pajtohen me tekstin sapo të jenë të gatshëm t’ia dëshmojnë komunitetit ndërkombëtar se janë të gatshëm për zgjidhje evropiane”.

“Aktualisht është kyçe që palët të shmangin përshkallëzimin, që kërkon veprim të menjëhershëm nga të dyja palët – Kosova të mos shqiptojë gjoba dhe që Serbia të mos lëshojë targa të makinave KM (Mitrovicë e Kosovës). Nuk mund të ketë negociata për normalizim të marrëdhënieve me prezencë të një kërcënimi për dhunë”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas takimit se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button