Ambasadori Delawie: Shtyrja e çështjes së targave nuk ka kuptim pa marrëveshje

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, beson se thelbi i tensionit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë targat, por, siç tha ai, refuzimi i autoriteteve serbe për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, pothuajse 25 vjet pas luftës. Zoti Delawie i bëri këto komente për korrespondentin e Shërbimit Serb të Zërit të Amerikës.

Duke komentuar zhvillimet gjatë ditëve të fundit në lidhje mes Serbinë dhe Kosovën, Delawie tha se, mosmarrëveshja në të vërtetë nuk ka të bëjë me targat, por me refuzimin e qeverisë serbe për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, rreth 25 vjet pas luftës së suksesshme të Kosovës për pavarësi.

“Mosmarrëveshja nuk ka të bëjë me targat, por me refuzimin e qeverisë serbe për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Do të ishte në interesin e serbëve të Kosovës që zyrtarët e tyre të vazhdonin të merrnin pjesë në institucionet qeveritare të Kosovës. Zyrtarët e minoritetit serb janë nën trysninë e qeverisë serbe, e cila kontrollon pjesëmarrjen ose mungesën e tyre në institucionet e Kosovës, për të nxitur reagimin negativ të qeverisë së Kosovës”, ka thënë Delawie.

Ndërsa, në lidhje me iniciativën për shtyrjen e vendimit për targat me dhjetë muaj dhe reagimin e qeverisë së Kosovës për të mos e pranuar atë, ai tha se një shtyrje do të kishte më shumë kuptim nëse do të ishte pjesë e një marrëveshjeje që të dyja palët të binin dakord ta zbatonin.

Sa i përket propozimit franko-gjerman për dialogun dhe si mund të kontribuojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes, Delawie tha:

“Jo, nuk kam njohuri. Megjithatë, kam besim si në aftësinë ashtu edhe në motivimin e qeverive franceze dhe gjermane për të hartuar një iniciativë të re për të zgjidhur një nga pengesat më të rëndësishme që qëndron në rrugën e paqes së vërtetë në Evropën Juglindore”, tha ai.

Ambasadori tha se, tensioni nuk kontribuon në përparimin e dialogut. Sipas tij, është detyrë e qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të punojnë drejt uljes dhe jo rritjes së tensioneve. Popujt e Ballkanit Perëndimor në Kosovë dhe Serbi meritojnë një të ardhme evropiane. Ata mund të kenë një të tillë vetëm nëse udhëheqja e të dyja vendeve vendos paqen dhe zhvillimin politik dhe ekonomik si qëllim të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button