Ahmeti: Urgjentisht të flitet për propozimin e fundit të Nimetz
Në vigjilje të takimit vjetor të Këshillit Permanent të OSBE në Vjenë, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka pritur Ambasadorin e OSBE në Maqedoni, z. Ralf Bret.
Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Bret diskutuan rreth shumë çështjeve të interesit të ndërsjellë, përfshirë integrimet EuroAtlantike të Maqedonisë, kontestin e emrit, marrëdhëniet ndëretnike, Marrëveshjen e Ohrit, zgjedhjet në Shqipëri, marrëveshja Kosovë-Serbi, etj.
Ambasadori Bret shprehu interesim për udhëtimet e Kryetarit Ahmeti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Gjermani si dhe takimet intensive të Kryetarit Ahmeti me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
Kryetari Ahmeti elaboroi nevojën për arritje të kompromisit midis Maqedonisë dhe Greqisë mbi çështjen e emrit si një parakusht për integrim të vendit në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë frymë, Kryetari Ahmeti nënvizoi urgjencën e koncentrimit të përpjekjeve të të gjitha forcave vendore dhe ndërkombëtare drejt zgjidhjes së kontestit dhe uljes së palëve në tavolinë për të biseduar mbi propozimin e fundit të z. Nimic.
Avancimi i procesit integrues të vendit ndikon edhe mbi marrëdhëniet ndëretnike dhe Marrëveshjen e Ohrit si të arritura kapitale të pas vitit 2001 që presin rumbullaksim me anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Ky është vullneti i jonë sepse sjell perspektivë për vendin dhe rajonin dhe mundëson zhvillimin ekonomik.
Kryetari Ahmeti theksoi që marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit është e rëndësishme për gjithë rajonin dhe do të ketë ndikim edhe në Maqedoni në drejtim të pajtimit të kombeve në 100 vjetorin e luftërave Ballkanike. Bashkëbiseduesit folën edhe për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.