U arrestua infermierja e tretë për keqtrajtimin e së moshuarës

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe infermieren e tretë, e dyshuar për sulmin ndaj një të moshuare në Pejë, njoftoi për KOHËN, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ai deklaroi se e arrestuara e tretë dyshohet se filmoi momentin kur po keqtrajtohej e moshuara në shtëpinë e pleqve “Orenda”.

Dhëndri i të moshuarës e cila u keqtrajtua nga infermieret në shtëpinë e të moshuarve “Orenda”, Ezen Vala, ka thënë se të moshuarën po e tërheqin sot nga shtëpia, duke shtuar se krejt kjo ka ardhur pas publikimit të videos.

“Minirja është banore e kësaj qendre qe një vit. Me publikimin e një videoje në rrjetet sociale jemi shqetësuar të gjithë. Kemi ardhur menjëherë me e tërheq nga shtëpia. Banorin e tërheqim për shkak të asaj qe e kemi parë në video. Ajo është nënë e një dëshmori. Nuk kemi pasur ndonjëherë vërejtje për sjellje të keqe. Ne nuk dimë që diçka ka ndodhur. Fatkeqësia është që zonja vuan nga alzheimeri. Sot është mirë por rasti ka ndodhur para 4 ditëve. Ne presim që hetuesia të zbulojë më shumë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Policia në Pejë ka konfirmuar se dy punonjëse të shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë.

Sipas Policisë, është arrestuar e dyshuara që shihet duke sulmuar fizikisht të moshuarën dhe punëtorja kryesore e shtëpisë së pleqve ku ka ndodhur rasti.

Rasti ka nxitur reagime të shumta menjëherë pas publikimit në rrjetet sociale të mërkurën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button