Ish-kryeministri çek i akuzuar për përvetësim me mashtrim të fondeve të BE-së shpalli kandidaturën për president

Ish-kryeministri çek dhe kreu i partisë ANO, Andrej Babish, i cili përballet me akuza për keqpërdorim të subvencioneve të BE-së, do të kandidojë për president, njoftoi ai vetë të dielën, transmeton Euractiv.

Të hënën Babish do t’i kërkojë zyrtarisht partisë ANO mbështetje. Zgjedhjet presidenciale të Çekisë do të zhvillohen në janar 2023, presidenti zgjidhet në një sistem me dy raunde drejtpërdrejt nga qytetarët.

“Që kur kam hyrë në politikë, kam pasur një synim, të përmirësoj jetën e njerëzve. Dhe kur pashë se si qeveria ishte joaktive dhe nuk i ndihmonte njerëzit, më në fund vendosa të kandidoj për president të Republikës Çeke”, tha Babish për NOVA TV.

“Sontazhet nuk më japin shumë mundësi. Megjithatë, unë jam një luftëtar, kështu që do të bëj çmos për t’i bindur njerëzit se do të jem një kandidat i mirë për presidencën”, shtoi Babish, i cili aktualisht drejton partinë më të fortë opozitare çeke.

Babish akuzohet se ka përvetësuar me mashtrim 2 milionë euro subvencione të BE-së për një qendër konferencash të vendosur në rajonin e Bohemisë Qendrore. Pas disa vitesh hetime, ai doli në gjyq për herë të parë në shtator 2022, me prokurorët që kërkuan dënim me kusht dhe gjobë. Gjyqi do të rifillojë në dhjetor 2022.

Kryeministri aktual Petr Fiala, kreu i partisë ODS, nuk është i befasuar nga vendimi i Babish për të kandiduar.

“Ai e ka drejtuar fushatën e tij hibride për gjysmë viti dhe më në fund e ka pranuar. Në vendet demokratike, politikani i akuzuar largohet, Andrej Babish kërkon imunitet në Kala. Dhe Republika Çeke nuk e meriton këtë”, shkroi Fiala në Twitter.

Sondazhet presidenciale të opinionit dominohen aktualisht nga një ish-kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petr Pavel. Ekonomisti dhe ish-rektori i universitetit Danushe Nerudová është gjithashtu mes kandidatëve të njohur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button