Irani thirri ambasadorin gjerman, akuzon Berlinin për ndërhyrje në punët e brendshme
Irani ka thërritur ambasadorin e Gjermanisë për shkak të deklaratave “ndërhyrëse” të disa zyrtarëve gjermanë në lidhje me trazirat e vazhdueshme në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se dje në takimin e tij me ambasadorin Hans-Udo Muzel, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Ali Bagheri Kani, ka thënë se qëndrimet e zyrtarëve gjermanë, përfshirë ministren e Jashtme Annalena Baerbock, janë të papranueshme dhe të papërgjegjshme dhe kanë provokuar trazira në vend.
“Zëvendësministri i Jashtëm për Çështjet Politike përmendi komentet e disa zyrtarëve gjermanë që provokuan trazira dhe shkelje të ligjit në Iran, duke i cilësuar qëndrimet e tilla të papërgjegjshme si shkelje të rregullave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të papërputhshme me traditën e marrëdhënieve të gjata mes dy vendeve, duke thënë se ato janë të papranueshme”, shtoi ministria.
Ndryshe, Irani është përfshirë nga protestat që kur Mahsa Amini, një grua 22-vjeçare, vdiq në rrethana misterioze muajin e kaluar pasi u ndalua nga policia morale e vendit për “veshje të papërshtatshme”.
E mërkura ishte dita e 40-të nga vdekja e saj dhe pati protesta të reja në disa qytete, përfshirë kryeqytetin Teheran, ndërsa në rrugë u vendosën forca të shumta policore.
Zhvillimet kanë shkaktuar reagime në mbarë botën, ku shumë qeveri perëndimore e kanë dënuar incidentin.