Lajçak pas takimit me Kurtin: Është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione, teksa afati për riregjistrimin e makinave është paraparë të përmbyllet më 31 tetor, transmeton REL.

Këto komente ai i bëri pas u takua në Prishtinë më 22 tetor me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Shqetësimi jonë është që të mos kemi tensione apo dhunë në terren, kjo është shumë e rëndësishme sepse nuk është në interesin e Kosovës”, tha Lajçak.

I pyetur nëse kanë diskutuar për propozimin që afati për riregjistrimin e makinave të shtyhet për 10 muaj, Lajçak konfirmoi se kjo temë ka qenë pjesë e diskutimit me Kurtin.

“Kemi diskutuar çështjen e targave, por është vendimi i kryeministrit dhe nuk do të komentoj në emrin e tij”, tha ai.

Qeveria e Kosovës nga 1 shtatori ka nisur procesin e konvertimit të targave që lëshohen nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës. Por, interesimi i serbëve, ka qenë i vogël.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së fundit në Kosovë këtë javë, deklaroi se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit të targave.

Lajçak shtoi se diskutimi me Kurtin ishte “konstruktiv dhe i dobishëm”.

“Ne kemi progres në diskutimet tona dhe kjo është e gjitha çfarë mund të them tani”, theksoi ai.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen po ashtu në kohën kur në opinion po qarkullon një i ashtuquajtur propozim gjermano-francez në lidhje me lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. I pyetur në lidhje me këtë propozim, Lajçak tha se “natyrisht që kanë biseduar për këtë”.

“Kjo është arsyeja që po vij këtu çdo javë. Por, shpresoj që e kuptoni se nuk do t’i ndihmonte procesit, nëse unë jam ai që jap detaje. Këto janë çështje të ndjeshme dhe jam në kontakt javor me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha Lajçak.

Propozimi, sipas raportimeve në media, nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.

Ndërkohë, të premten, në një takim me Ramush Haradinaj, liderin e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryeministri Kurti u tha se është diskutuar për përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale me Serbinë.

Analistë dhe ekspertë të politikave ndërkombëtare ditëve të fundit kanë vlerësuar se ka një ndryshim në qasjen ndaj dialogut dhe mund të ketë hapa drejt një marrëveshjeje finale.

Vizita e fundit e Mirosllav Lajçakut në Kosovë ishte më 13 tetor.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë në dialog nën ndërmjetësimin e BE-së. Këto dy shtete, megjithatë kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Beorgadi kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa elaboruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button