Si ndikon realiteti i ri gjeostrategjik në zgjerimin e BE-së?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

– Shkas: Paketa e zgjerimit e Komisionit Evropian e datës 12 tetor 2022

Malinka Ristevska Jordanova

Paketa e sivjetshme e dokumenteve për zgjerim e Komisionit Evropian ka dy karakteristika. E para, është paketa e fundit me shtatë shtete. Nga viti i ardhshëm do u referohet dhjetë vendeve, përfshirë këtu Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Karakteristika e dytë është toni i fuqishëm gjeopolitik i zgjerimit, i cili vë në plan të parë ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës ndaj zgjerimit. Kuptohet që edhe karakteristika e parë – rritja e numrit të anëtarëve të rinj potencial të ardhshëm të BE-së, është rezultat i plejadës së re gjeopolitike.

Për dallim nga viti që shkoi kur qenësor ishte angazhimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë, këtë vit Komisioni Evropian mundi të paraqesë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe konferencën e parë politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut si suksesin e tij kryesor në politikën për Ballkanin Perëndimor, madje edhe si një “moment historik” që shënon një “fazë të re të politikës së zgjerimit”.

Gjithsesi, kjo nuk ishte pasoja kryesore e kontekstit të ri gjeopolitik. Në qershor të këtij viti Ukraina dhe Moldavia morën statusin e kandidatit, ndërkohë që Gjeorgjisë iu prezantuan kushtet për marrjen e tij. Pas zbatimit ekspres të procedurës që nuk mund të krahasohet me atë të fitimit të kandidaturës për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni njofton për një vlerësim më të detajuar për gatishmërinë e këtyre vendeve për t’i marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit deri në fund të vitit.

Marrja e shpejtë e statusit të vendit kandidat nga Ukraina dhe Moldavia shkaktoi reagime serioze, veçanërisht për kushtet dukshëm më të vështira që i janë vendosur Bosnjë-Hercegovinës për marrjen e të njëjtit status. Përgjigja politike e liderëve evropianë në samitin e qershorit të këtij viti ishte “zbutja” e 14 kushteve të vendosura për këtë shtet ballkanik në vitin 2019. Kështu, lajmi kryesor në prezantimin e paketës së zgjerimit këtë muaj ishte propozimi i Komisionit për t’i dhënë statusin kandidat Bosnjë-Hercegovinës – edhe pse me disa kushte.

Realiteti i ri gjeostrategjik ka rritur peshën e disa elementeve për vlerësim në raportet. Këtë vit vend qendror kishte përputhshmëria e shteteve kandidate me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit, ose më konkretisht – bashkimi në sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Më e ekspozuara ndaj kritikave në këtë drejtim ishte Serbia, edhe pse nuk u kursye as Turqia. Kjo është arsyeja se pse Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duhen lavdëruar pikërisht për respektimin e plotë të sanksioneve kundër Rusisë.

Kjo nuk ishte pengesë që Komisioni të arrijë në një përfundim për dy vendet që tashmë janë në negociata – Serbinë dhe Malin e Zi – se është arritur një baraspeshë e përgjithshme në negociatat. Arsyeja për këtë është se në kornizën negociuese, baraspesha vlerësohet në raport me kapitujt 23 (Drejtësia dhe të drejtat themelore) dhe 24 (Drejtësia, liria dhe siguria), ndërsa për Serbinë edhe për marrëdhëniet me Kosovën (kapitulli 35), por jo dhe në raport me kapitullin 31. Kjo ishte edhe përgjigjja e komisionerit Varhei ndaj kritikave dhe pyetjeve të eurodeputetëve në këtë drejtim. Megjithatë, po rritet presioni politik ndaj Serbisë në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë.

Përndryshe, kur bëhet fjalë për Serbinë Komisioni konstaton se vendi teknikisht i ka përmbushur kushtet për hapjen e Klasterit 3. Konkurrueshmëri dhe rritje gjithëpërfshirëse, pas hapjes së Klasterit 4 vitin që shkoi. Agjendë e gjelbër dhe lidhshmëri e qëndrueshme. Komisioni ruan të njëjtin vokabular si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën sa i përket marrëdhënieve të tyre të ndërsjella – se janë të angazhuara në dialog, por kërkon që angazhimet e marra të zbatohen në mënyrë konstruktive dhe të shmangen aktivitetet që mund të prishin stabilitetin dhe dialogun.

Sa i përket Malit të Zi, i cili tashmë i kishte hapur të gjithë kapitujt, çështja kryesore e përparimit të negociatave është përmbushja e standardeve të përkohshme për kapitujt 23 dhe 24, në mënyrë që të mund të shkohet pastaj drejt një mbylljeje preliminare të kapitujve. Jostabiliteti politik dhe pamundësia për të arritur konsensus për çështje kyçe mes pozitës dhe opozitës, duke përfshirë emërimet që kërkojnë një shumicë të kualifikuar, i ngadalësojnë negociatat. Prandaj, Komisioni nuk propozoi hap të ri në negociatat me Malin e Zi.

Edhe për Kosovën mbetet i njëjti propozim– liberalizimi i vizave, për të cilin Komisioni Evropian konstatoi se kriteret janë përmbushur tashmë që në vitin 2018, por shtetet anëtare të BE-së nuk e marrin vendimin.

Në pjesën për Turqinë në konkluzionet e Strategjisë së Zgjerimit nuk përmenden më negociatat për anëtarësim, por thuhet se Turqia ka vazhduar të largohet nga BE-ja, ka bërë një regres në demokraci, qeverisjen e të drejtës dhe të drejtat themelore. Ka edhe kritika për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por toni ndryshon ndjeshëm kur bëhet fjalë për rolin e Turqisë në arritjen e një marrëveshjeje për eksportin e drithit nga Ukraina dhe për përkujdesjen e refugjatëve (për çka theksohet se që nga viti 2016 BE-ja ka dhuruar 10 miliardë euro).

Ajo që është interesante është fakti se për dallim nga viti i kaluar kur kishte qëndrim kritik, këtë vit Komisioni e shikon më pozitivisht iniciativën „Ballkani i Hapur”, duke vlerësuar se mund të luajë një rol pozitiv në bashkëpunimin rajonal nëse bazohet në rregullat e BE-së dhe mbetet i hapur për të gjithë partnerët nga rajoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button