ANALIZË: Në buxhetin e RMV-së për vitin 2023 do të “shkurtohen” rrogat, transferimet, subvencionet!

Viti i ardhshëm buxhetor do të fillojë me projeksione tashmë të “zhvendosura” të qeverisë të parashikuara në Strategjinë Fiskale. Qeveria njoftoi shkurtime në disa zëra – transferime, mallra dhe shërbime, subvencione, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

A ishin “të fryra” parashikimet për shpenzimet në vitin 2023, dhe për këtë arsye ka vend për uljen e tyre, apo për shkak të krizës nuk ka zgjidhje tjetër përveç shtrëngimit të rripit për shpenzimet buxhetore.

Ulja e shpenzimeve për rroga dhe kompensime…

Për këtë vit janë planifikuar pothuajse 540 milionë euro për pagesën e rrogave dhe kompensimeve të atyre që marrin rroga nga buxheti – shumë e cila me rebalancimin e Buxhetit është rritur për 1,7%.  Këtë zë, Qeveria planifikon ta ulë për 10% krahasuar me vitin 2023, kur ishte parashikuar në nivelin 570,3 milionë euro. Nga ky reduktim priten kursime prej 49 milionë eurosh.

Si pjesë e planit, është edhe ulja e shpenzimeve të ndërmarrjeve publike, agjencive, kompanive në pronësi shtetërore – dhe ato kanë detyrimin t’i ulin shpenzimet, por edhe t’i ulin rrogat aty ku janë shumë mbi mesataren kombëtare.

Ulje e shpenzimeve për subvencione, transferime, kompensime sociale…

Zërat “më të ndjeshëm” të buxhetit në anën e shpenzimeve janë ato për subvencione, transferime, kompensime sociale – vitin e ardhshëm qeveria planifikon t’i reduktojë ato për 20% në krahasim me kornizën e vitit 2023. Ndërsa në vitin 2023, sipas Projeksionit fiskal, disa prej këtyre zërave tashmë janë ulur krahasuar me këtë vit, por disa prej tyre janë rritur ndjeshëm.  Edhe me këto shkurtime priten kursime prej 49 milionë eurosh.

Këto zëra buxhetorë janë ndër më të mëdhenjtë në aspekt financiar – vetëm për transferimet sociale, ku ndër të tjera përfshihen pensionet, kompensimet për të papunët, ndihma sociale, me buxhetin e këtij viti është planifikuar një shumë prej 2,1 miliardë euro. Transferimet dhe subvencionet janë pjesë e kësaj pakete që planifikohet të reduktohet – zë që aktualisht “peshon” 550 milionë euro, por për të cilin tashmë ka një projeksion në Strategjinë Fiskale që të reduktohet për 35 000 000 euro. Transferimet për komunat për këtë vit janë planifikuar në vlerën prej 375 milionë euro, ndërsa bllok-dotacionet janë 333 milionë euro.

“Në këto pozita në buxhet ka vend për shkurtime – shpenzimet për vitin e ardhshëm janë “fryrë” tepër, janë planifikuar shuma të mëdha që janë “fshehur” në nënzëra buxhetore si “transfere të tjera”. Natyrisht, nuk pritet ulje të shumës për shembull për ndihma sociale – kjo do të ishte një masë jopopullore, përkundrazi paralajmërohet rritje” – komenton një analist ekonomik për “Portalb”-in dhe vlerëson se me projeksionet qeveritare nga Strategjia fiskale shpenzime kapitale janë planifikuar në mënyrë joreale – shuma milionëshe të cilat nuk janë realizuar.

Ulje e shpenzimeve për mallra, shërbime…

Një nga zërat më të komentuar të buxhetit është ai i mallrave dhe shërbimeve – i mbulon shpenzimet nga arka shtetërore në lidhje me mëditjet për udhëtimet zyrtare, shërbimet e kontraktuara, faturat e shërbimeve komunale, blerjen e mobiljeve, pajisjeve dhe furnizimet e tjera publike.

Për këtë vit, mbi këtë bazë, shteti planifikon të shpenzojë 375 milionë euro, shumë që është rritur për 11,9% krahasuar me planin fillestar buxhetor.

Tani me planin e ri të qeverisë, këto shpenzime duhet të ulen për 20% në raport me kornizën fiskale për vitin e ardhshëm 2023, kur është planifikuar një shumë prej 373 600 000 euro.

Efekti i uljes së shpenzimeve për mallra dhe shërbime do të “peshonte” 49 milionë euro.

Të gjitha këto shkurtime buxhetore duhet të lirojnë para për të mbështetur qytetarët dhe kompanitë në kulmin e një krize energjetike që tashmë ka marrë përmasat edhe të një krize ekonomike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button