Shoqata Lesja Ukrainka do të protestojë në Shkup pas bombardimeve ruse të qyteteve të Ukrainës

Shoqata e ukrainasve në Republikën e Maqedonisë së Veriut “Lesja Ukrainka” ka paralajmëruar një tubim protestë kundër granatimeve të sotme ruse të qyteteve të Ukrainës. Protesta do të fillojë në ora 18:00, para Ambasadës së Federatës Ruse në Shkup. Sulmet e sotme ministri i Jashtëm, Bujar Osmani i ka konsideruar shkelje flagrante e të Drejtës ndërkombëtare humanitare, si dhe minim shtesë i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i “Lesja Ukrainka”, Oleksandar Urbanovich do t’i drejtohet qytetarëve që do të dalin në protestë.

Pas sulmeve shkatërruese të sotme, ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Larisa Dir ka reaguar me postimin e saj në Twitter.

Ajo postoi një video që tregon sulmet brutale, duke përfunduar me një mesazh ku shkruhej: “Jepini Ukrainës armë më të fuqishme”.

Sulmet e sotme me raketa në Ukrainë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani e ka konsideruar shkelje flagrante e të Drejtës ndërkombëtare humanitare, si dhe një minim shtesë i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
“Republika e Maqedonisë së Veriut dënon ashpër veprimet e tilla të papranueshme, të kryera nga Rusia, të cilat rezultojnë me viktima të pafajshme njerëzore. Autorët e sulmeve duhet të sillen para drejtësisë dhe të përgjigjen për krimet e luftës. Edhe një herë riafirmojmë solidaritetin tonë me popullin ukrainas”, tha Osmani,

Sot, siç raportoi Reuters, Rusia gjuajti me raketa në qytete në të gjithë Ukrainën gjatë mëngjesit, duke vrarë civilë dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje.

Presidenti rus Vladimir Putin i deklaroi këto sulme si hakmarrje për sulmet e Ukrainës, duke përfshirë edhe urën drejt Krimesë.

Raketat goditën kryqëzimet, parqet dhe pikat turistike në qendër të Kievit me një intensitet të paparë që kur forcat ruse u përpoqën të kapnin kryeqytetin në fillim të luftës.

Shpërthime u raportuan gjithashtu në Lviv, Ternopil dhe Zhytomyr në Ukrainën perëndimore, Dnipro dhe Kremençuk në Ukrainën qendrore, Zaporizhzhia në jug dhe Kharkiv në lindje. Autoritetet ukrainase thanë se të paktën 10 persona u vranë, shumë u plagosën dhe disa pjesë të vendit mbetën pa energji elektrike.

Në një fjalim televiziv, Putin tha se kishte urdhëruar sulme “masive” me rreze të gjata kundër objektivave të energjisë, komandës dhe komunikimit ukrainas, duke përdorur raketa të lëshuara nga ajri, deti dhe toka, në përgjigje të atyre që ai tha se ishin sulme terroriste, përfshirë shpërthimin e të shtunës në Urën e Krimesë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një deklaratë në platformën Telegram se është i bindur se pas sulmit masiv me raketa të Rusisë në qytetet ukrainase, e gjithë bota ka parë edhe një herë fytyrën e vërtetë të shtetit terrorist që mbulon thelbin e tij kriminal me bisedimet e paqes.

“Sot e gjithë bota pa edhe një herë fytyrën e vërtetë të shtetit terrorist që po vret popullin tonë. Jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në qytete paqësore. Një vend që mbulon vetëm thelbin e tij të vërtetë gjakatar dhe kriminal”, tha Zelenski.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button