UBSHR planifikon realizimin e platformës digjitale për komunikimin në kohë reale mes komunave anëtare

Sot në Prishtinë anëtarët e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon (UBSHR) nën moton “Kurorat e Qyteteve Shqipfolëse si Destinacion i Agroturizmit”, diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë në këtë drejtim, përfaqësuesit gjithashtu diskutuan mbi planifikimin e realizimit të platformës digjitale për komunikimin në kohë reale mes komunave anëtare. U miratua plan- buxheti për vitin 2022, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se projekte të shumta janë realizuar deri më tani në kuadër të UBShR-së, dhe shumë të tjera presin realizimin në të ardhmen e afërt, për të cilat u zotuan së bashku në këtë takim.

“Të mirat që ofron natyra janë të pazëvendësueshme për shëndetin fizik e mendor të qytetarëve tanë. Andaj, çfarëdo lloj investimi që e ruan, promovon dhe e sjell natyrën më afër nesh, e që vepron në harmoni të plotë pa e dëmtuar atë është vlerë e shtuar shoqërore për të gjitha trevat shqipfolëse kudo”, tha Rama.

Foto: Unioni i Bashkive

Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe Komuna e Tetovës, ku sektori për kulturë si dhe ai për zhvillim lokal prezantoi qytetin dhe agroturizmin e saj.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami njoftoi se pas tryezës së rrumbullakët, ka vazhduar mbledhja e radhës e përbashkët e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon duke diskutuar mbi mundësin e krijimit të një fondi të posaçëm nga anëtarët e UBSHR-së.

“Krijimi i fondit do të përdoret për për realizimin e platformës digjitale e cila nevojitet për komunikimin në kohë reale të komunave anëtare të UBSHR-së”, deklaroi Kasami.

Mes tjerash ai njoftoi se u shqyrtua dhe miratua plan- buxheti për vitin 2022, shqyrtimi dhe miratimi i plan-aktiviteteve për vitin 2022, miratimi i pasqyrave financiare për vitin 2021, pranimi i anëtarëve të rinj të cilët kanë paraqitur kërkesë për anëtarësim, shqyrtimi dhe miratimi i ndryshimeve në disa dispozita të statutit dhe të tjera.

Foto: Profili zyrtar i Bilall Kasamit- Fb

Pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut ishte edhe kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri.

Takimi i radhës i UBSHR-së do të mbahet në Tetovë, konkretisht në Kodrën e Diellit me aktivitete të rëndësishme kulturore e artistike.

Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon është e regjistruar që nga viti 2019.  Misioni i saj është të unifikojë veprimin e njësive vendore anëtare të shoqatës dhe t’i prezantojë ato në nivel rajonal, vendor, qendror dhe ndërkombëtar duke mbrojtur interesat e tyre, ofruar shërbimet ndaj anëtarësisë, komunikuar vazhdimisht me anëtarësinë, si dhe ndërtuar partneritete dhe bashkëpunime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button