Osmani tha se Maqedonia e Veriut nuk do t’i njohë rezultatet e referendumeve të Rusisë në territoret e Ukrainës

Maqedonia e Veriut nuk do t’i pranojë rezultatet nga referendumet në katër krahinat ukrainase për bashkim me Rusinë, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në takim joformal me gazetarët, njofton Portalb.mk

Ai tha se është e rëndësishme që Ukraina ta fitojë luftën me Rusinë, e cila nëpërmjet referendumeve manipuluese dëshiron që të sigurojë një alibi për aneksim të territorit ukrainas.

“E rëndësishme është që Ukraina ta fitojë këtë luftë, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut nuk do t’i njohë referendumet manipuluese. Ata janë manipuluese, vetëm që të merren si alibi për aneksim arbitrar të territoreve të huaja.“, tha Osmani në takimin e sotëm me gazetarë.

“E rëndësishme është të flitet për shkeljen e ligjit ndërkombëtar nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, sepse neve vendeve të vogla, na mbron po ai ligj.

Çka nëse nesër çdo shteti fqinj më të madh, i teket të sulmojë shtetet më të vogla dhe t’iu marrë territor?, tha Osmani, i cili gjithashtu shprehi edhe shqetësimin e tij për faktin se lufta bërthamore është bërë shprehje e zakonshme dhe e përditshme në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ndryshe, Rusia ka organizuar referendum për bashkim me Rusinë në katër rajone të Ukrainës, si: Doneck, Luhansk, Zaporzhje dhe Herson. Rusia nuk kontrollon shumë nga këto katër rajone.

Ukraina dhe shtetet e Perëndimit kanë thënë se nuk do t’i njohin këto referendume si legjitime, pasi që ky referendum bie ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button