Reaktori i parë bërthamor do të shuhet në Belgjikë, pas 40 vitesh funksionim

Sipas ligjit për heqjen nga përdorimi të energjisë bërthamore, Doel 3 do të ndalojë së punuari të premten, pas 40 vitesh aktivitet, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk. 

Në vitet 1960, Belgjika zgjodhi energjinë bërthamore për të prodhuar një pjesë të energjisë elektrike të saj, pasi nuk ishte më e mundur të plotësohej kërkesa në rritje për energji vetëm me lëndë djegëse fosile. Kështu, katër reaktorë bërthamorë u ndërtuan në Doel dhe tre në Tihange.

Reaktori Doel 1 filloi të funksionojë në fillim të vitit 1975, dhe në po të njejtin vit më vonë doli edhe Doel 2. Doel 3 u lansua në 1982 dhe Doel 4 u përfundua në mesin e 1985.

Të premten, Doel 3 do të shkyçet nga rrjeti elektrik sipas Ligjit për heqjen e energjisë bërthamore. Kjo është hera e parë që një reaktor mbyllet në Belgjikë dhe vjen pikërisht në kohën kur çmimet e energjisë po rriten dhe përpara na pret një dimër i vështirë.

“Ne jemi përgatitur për këtë që katër vite,” tha Peter Moens, Drejtor i Vendit të Termocentralit Bërthamor Doel.

Fuqia totale e termocentralit Doel është 2,935 megavat (MW), krahasuar me 3,008 MW për Tihange. Të dy termocentralet së bashku përfaqësojnë 50% të konsumit vjetor të energjisë elektrike të vendit, ekuivalente me 42 miliardë kWh.

Doel 1 dhe 2, të cilat supozohej të mbylleshin më herët, kanë vazhduar funksionimin për 10 vjet të tjera dhe tani është vendosur që të mbyllen në vitin 2025.

Belgjika pati rënë dakord të vazhdojë me përdorimin e Doel 4 deri në dhjetë vjet dhe i njëjti  do të shkyçet në 2025.

Amendamenti i ligjit të vitit 2003 do të votohet në parlament në fund të 2023.

Ka pasur diskutime brenda qeverisë Federale, për mundësinë e shtyrjes së përgatitjeve për çmontimin e Doel 3, për shkak të krizës aktuale energjetike.

Javën e kaluar, ministrja Punëve të Brendshme belge Annelies Verlinden kërkoi nga FANC (Agjencia Federale për Kontrollin Bërthamor) një raport mbi mundësinë e shtyrjes së operacioneve që do të ishin të pakthyeshme, sipas shembullit të Gjermanisë, qeveria e së cilës ka vendosur t’i mbajë dy korporata të mëdha me fuqi bërthamore, deri në pranverën e ardhshme.

Në teori, një shtyrje e tillë është e mundur. Kur Doel 3 shkëputet nga rrjeti, faza e mbylljes do të fillojë me një periudhë pesë deri në gjashtë vjet, gjatë së cilës reaktori shkarkohet, elementët e karburantit ftohen dhe infrastruktura dekontaminohet për të larguar të gjitha grimcat radioaktive.

“Asnjë operacion teknikisht i pakthyeshëm nuk zhvillohet gjatë kësaj faze pesëvjeçare.” shpjegoi Moens. Kështu do të ndodhë vetëm në fazën tjetër, në fazën e çmontimit.

Sidoqoftë, një shtyrje ose ndryshim i procesit që është përgatitur për katër vjet nuk do të ishte “as i mençur dhe as i këshillueshëm” për arsye teknike dhe organizative, tha drejtori i Doel. Porositja e karburantit, për shembull, do të zgjaste 36 muaj dhe trajnimi i operatorëve për të drejtuar Doel do të zgjaste tre vjet.

“As ne nuk jemi pyetur. Nuk kemi ndërmend të rifillojmë reaktorin. Unë nuk improvizoj me sigurinë bërthamore,” tha Moens.

Të enjten, gjatë seancës plenare të Kuvendit, ministri belg i Energjisë Tinne van der Straeten mbrojti mbylljen e reaktorit, duke thënë se kapaciteti i prodhimit do të ishte ende i mjaftueshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button