Deputeti Zeqir Ramçiloviq do të jetë ambasador në Mal të Zi, ndërsa drejtori i ASK-së Viktor Dimovski në Francë

Drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare do të jetë ambasador në Francë, ndërsa deputeti i LSDM-së, Zeqir Ramçiloviq, shkon në Mal të Zi. Këta janë dy nga katër ambasadorët e rinj që do të plotësojnë vendet vakante në ambasadat tona. I treti është Zulfi Ismaili, i cili shkon si përfaqësuesi ynë në Misionin e përhershëm në BE në Bruksel dhe Jovan Manasijevski në Ankara, transmeton Portalb.mk.

Këtë në brifingun e sotëm e njoftoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili bëri të ditur se tashmë janë edhe tre kandidatë për vendin e ambasadorit në Bern të Zvicrës dhe për pozitat e përgjithshme konsullore në Mynih dhe Toronto. Por për ta nuk ka përfunduar procedura e marrjes së miratimeve, ndaj dhe emrat e tyre për momentin mbeten sekret.

Të martën pritet të propozohen edhe dy emra për dy pozicione ambasadorësh.

Osmani njoftoi sot se nga 1 shtatori ka filluar, siç e quajti ai, vlerësim gjithëpërfshirës i punës së ambasadorëve që tashmë janë duke kryer detyrën e tyre, për periudhën shtator 2021 – shtator 2022, sipas, siç tha, parametrave sasiorë dhe cilësorë. Në bazë të rezultateve të nxjerra nga ky vlerësim, Osmani la të kuptohet se ekziston mundësia të ketë tërheqje të atyre që nuk i plotësojnë kriteret.

Ndërkohë, një javë më parë presidenti Stevo Pendarovski, nënshkroi dekretet për emërimin e ambasadorëve të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën Sllovake, në Kanada, në Mbretërinë e Norvegjisë, në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Republikën e Bullgarisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button