Osmani: Ndryshimet kushtetuese janë në interes të shtetit, nuk mund të ketë referendum për Marrëveshjen me Bullgarinë

Ndryshimet kushtetuese janë në interes të shtetit, ndërsa referendum për Marrëveshjen me Bullgarinë nuk mund dhe nuk duhet të ketë, sepse shfuqizimi i saj rrezikon integrimet euroatlantikeve të Maqedonisë së Veriut, vlerësoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani gjatë edicionit të sontëm të lajmeve në TV Sitel, transmeton Portalb.mk.

Në lidhje me iniciativën për referendum, ai verëson se opozita me ose pa vetëdije i ka bërë një shërbim të madh procesit të ndryshimeve kushtetuese, sepse ka ndarë debatin mes Marrëveshjes me Bullgarinë dhe ndryshimet kushtetuese.

“Ndryshimet kushtetuese nuk janë pjesë e obligimeve të marrëveshjes. Ndërsa ata që thanë – të bëjmë referendum për Marrëveshjen me Bullgarinë, ajo do të thotë se, ndryshimet kushtetuese janë të mira dhe ne mundemi që ta zhvillojmë atë proces. Ashtu ishte qëndrimi i opozitës nga fillimi, ju e dini deklaratën e Mickoskit – nëse kjo është kërkesa e fundit e Bullgarisë jemi në rregull me ndryshimet kushtetuese. Më pas tha në rregull jemi – ne nuk jemi kundër përfshirjes së bullgarëve, malazezëve dhe kroatëve, por për shkak se është shantazh nuk pranojmë, që do të thotë se në thelb askush nuk është kundër. Madje, ka shumë në VMRO – DPMNE me të cilët unë komunikoj të cilët e dinë se kjo është në interes të popullit maqedonas, në interes të shtetit sepse paraqet definim institucional të raporteve mes shumicës së popullit maqedonas dhe pakicës bullgare në RMV”, tha Osmani.

Ai shtoi se, momentalisht nuk ka bisedime formale me deputetët për ndryshimet kushtetuese, edhe pse ka komunikim.

“Vlerësoj se ne kemi një problem tjetër para se të arrijmë deri te bindja e deputetëve, ndërsa ajo është bindja e qytetarëve. Është e dukshme se në këtë fazë, propaganda dhe lajmet e rrejshme kanë fituar në argumentimin që ndodhi me fillimin e negociatave”, tha ministri.

Ai është decid se, referendum për Marrëveshjen me Bullgarinë nuk mund të ketë, as nuk duhet të ketë sepse marrëveshja është një ndër shtyllat e rëndësishme të Maqedonisë së Veriut euroatlantike, përkrah marëveshjes së Prespës dhe të Ohrit.

Ndërkohë, në lidhje me fillimin zyrtar të skriningur për harmonizim të legjislacionit të Maqedonisë me atë të Bashkimit Evropian që filloi sot në Bruksel, Osmani tha se është fazë thelbësore e negociatave dhe për atë nuk duhet të ketë mosmarrëveshje në opinion nëse negociatat kanë filluar ose jo.

Ndryshe,VMRO-DPMNE propozon mbajtjen e referendumit për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë. Për këtë u dorëzua edhe nismë në Kuvend nga ana e kësaj partie. Nisma për referendum nënkupton fillimisht mbledhjen e jo më shumë 100 nënshkrimeve për të paraqitur nismën në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), dhe më pas mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve që pastaj Kuvendi të shpallë datën për daljen e qytetarëve në referendum.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të martën njoftoi se i ka dërguar letër kryeopozitarit Hristijan Micskoski në lidhje me nismën e tij për mbajtjen e Referendumit në gjithë vendin, ku thuhet se e njëjta nuk është në përputhje me nenin 118 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si edhe me nenin 8, paragrafi 1, alineja 11 e kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Theksuan që marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, nuk mund të ndryshohen me ligj.

Maqedonia e Veriut e ka fituar statusin e shtetit kandidat në vitin 2005, por për nisjen e bisedimeve me BE-në ka pritur 17 vjet, për shkak të kontesteve të pazgjidhura me shtetet fqinje – fillimisht me Greqinë për çështjen e emrit, e tani me Bullgarinë për gjuhën dhe identitetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button