Tetovë, prindërit bojkotojnë mësimin pasi nuk iu vazhdua kontrata mësimdhënëses, kërkojnë kthimin e saj (VIDEO)
Prindërit e nxënësve të klasës së tretë në shkollën fillore “Goce Dellçev” në Tetovë bojkotojnë mësimin, pasi mësimdhënësja që mësonte fëmijët e tyre nuk është më në detyrë. Asaj i ka mbaruar kontrata vetëm pak ditë pasi filloi viti i ri shkollor dhe nuk i është vazhduar më. Ata kërkojnë kthimin e saj, pasi siç thonë, fëmijët e kërkojnë të njëjtën pasi janë mësuar me të. Autoritetet nuk marrin përgjegjësi, shkruan Portalb.mk.
Sot është dita e dytë që mësimdhënësja e klasës së tretë në këtë shkollë nuk është më në detyrë, i ka mbaruar kontrata e punës dhe nuk i është vazhduar. Prindërit nuk i dërgojnë nxënësit në shkollë, bojkotojnë mësimin deri sa të kthehet e njëjta, thonë se politika duhet t’i mbajë duart larg nga arsimi dhe mos të ndërhyjë te përzgjedhja e kuadrit arsimor.
Burhan Aliti nga këshilli i prindërve tha se ky veprim i tyre është pa asnjë prapavijë politike dhe se është vetëm përgjegjësi ndaj fëmijëve të tyre.
“Nuk duhet fëmijët të jenë pre e sistemit politik këtu. E duam të njëjtën mësuese e cila ka qenë me fëmijët që nga klasa e dytë, duam e njëjta të vazhdojë. Nuk e kërkojmë për asnjë interes personal, thjeshtë në marrëveshje me të gjithë prindërit e tjerë kemi ardhur që e njëjta mësuese – Emine Luma Osmani të vazhdojë edhe me tutje me fëmijët. Nuk na interesojnë prapavijat politike. Këshilli i prindërve kështu ka vendosur, por edhe nxënësit e kanë kërkesë të jetë e njëjta, pasi janë adaptuar me të. Asgjë nuk kemi kundër mësueses së re”, tha Aliti.
Anita Aziri po ashtu prinde tha se kanë kërkuar zgjidhje edhe nga drejtoria e shkollës por asgjë konkrete deri tani.
“Është problem pasi ne nuk duam të përzihemi në ato punët politike. Kur vjen puna këtu, hidhet topi jo ne s’kemi faj, jo ju s’keni faj. Kështu ne kemi ngelur, s’na përkrahën askush që ne ta rikthejmë atë që duam. Kjo ka ndikuar te fëmijët në bazë psikologjike por edhe edukativo-arsimore”, tha Aziri.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Renata Bishkovska Bojarovska nuk pranoi të japë deklaratë para gazetarëve si dhe as pranoi vetëm konsultime pa kamerë. Përmes sigurimit të shkollës i njoftoi gazetarët të drejtohen në Sektorin e Arsmit në Komunë.
Ajo pranoi në takim vetëm prindërit për të diskutuar, të njëjtit pas takimit njoftuan për Portalb.mk se nuk janë dakorduar për diçka, pra nuk ka definitive asgjë dhe se bojkoti do vazhdojë.
Udhëheqësi i sektorit të Arsimit në Komunë na njoftoi se nuk gjendet në punë për shkaqe shëndetësore.
Por, referuar rasteve të njëjta të javës së kaluar, nga komuna përgjegjësinë e bartnin te drejtoritë e shkollave.
Nga ana tjetër, Inspektorati i Shtetëror i Arsimit njofton për Portalb.mk se ende janë duke i shqyrtuar provat e mbledhura nga inspektimi që u krye në disa shkolla javën e kaluar, por asgjë konkrete deri tani.
Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm në këtë qytet. Përafërsisht për mbi 20 mësimdhënës në shkollat fillore në Komunën e Tetovës më 31 gusht kanë përfunduar kontratat e punës dhe ato nuk u janë vazhduar. Bojkote pati edhe në shkolla tjera.
Mësimdhënësit që mbetën pa punë janë zëvendësuar me mësimdhënës që, sipas komunës, do të jenë të përkohshëm, pra deri në momentin e përfundimit të proceseve burokratike të konkursit të ri i cili pritet të hapet së shpejti, pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë pëlqimin.
Në këtë konkurs, për të njëjtin vend pune, do të mund të aplikojnë sërish ata të cilëve iu ka mbaruar kontrata.
Megjithatë shtrohet pyetja: pse nuk kanë vazhduar të njëjtit mësimdhënës por u desh të ndërrohen me të tjerë Për këtë nuk kemi përgjigje nga palët e përfshira në këtë rast.