Vuçiq: Perëndimi po propozon “kornizë të re” për dialog

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se diplomatët evropianë kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Ai i ka bërë këto deklarata të shtunën, pas takimit që ka pasur me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, shkruan REL.

Më 9 shtator, i dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, kanë zhvilluar takimet me krerët shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune. Beograd, 9 shtator 2022.

“Sipas tyre, dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve me të cilat po përballemi dhe të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, ka thënë Vuçiq më 10 shtator.

Ai ka thënë se diplomatët evropianë kanë theksuar se e kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për diçka të tillë.

“Marrëveshja do të nënkuptonte, nuk mund të them njohje të Kosovës, mirëpo do të ishte njohje të gjithçkaje që ata mendojnë se është realitet’, ka thënë Vuciq.

Ai ka shtuar se përfaqësuesit evropianë kanë treguar se pozicioni i Perëndimit është se Evropa nuk ka nevojë për konflikte të reja andaj është shumë e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i këtyre vizitave është shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Me ndërmjetësimin e BE-së, dy palët janë në negociata qysh në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.

Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëruan këshilltarët e tyre për të ndihmuar këtë dialog.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit po atë ditë, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Ata, po ashtu, u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, sipas tyre, do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kosova thotë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke; Serbia kundërshton.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button