Vuçiç: Prishtina synon të imponojë vendimet e saj me mbështetjen e perëndimit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se javët e ardhshme pritet të ketë më shumë bisedime dhe diplomaci vajtje ardhjesh të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, për të zgjidhur mospajtimet me Kosovën lidhur me targat e makinave.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, në të cilën akuzoi Prishtinën se po synon të imponojë vendimet e saj me mbështetjen e fuqive perëndimore, transmeton Zëri i Amerikës.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga një shtatori të nisë afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia që kanë akronimet e qyteteve të Kosovës. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet të pajisen me targa te Republikës së Kosovës, RKS.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se sipas marrëveshjeve të arritura në vitet 2011 dhe 2016 në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, Kosova ka të drejtë të heqë shkallë- shkallë targat e lëshuara nga Serbia. Por Beogradi ngulë këmbë që kjo të mos ndodhë ndërsa në takimin e fundit ndërmjet presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ishte hedhur propozimi që të përdoren targat neutrale ndaj statusit. Por ky propozim nuk është pranuar nga Kosova.

“Nuk besoj që ata duan bisedime serioze por mendojnë se në fund të fundit mund të imponojnë planet e tyre me mbështetjen e perëndimit”, tha presidenti Vuçiç.

Të shtunën Kosova dhe Serbia u dakorduan mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve pasi që Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse – dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button