Për shkak të agresionit rus, Ukraina do të përballet me një nga dimrat më të ftohtë

Qytetarët ukrainas do të përballen me një nga dimrat më të ftohtë në dekadat e fundit dhe tashmë është e sigurt që sistemet e ngrohjes do të ndizen më vonë se zakonisht dhe do të fiken më herët se sa pritej gjatë sezonit të ngrohjes, tha drejtori i kompanisë shtetërore të energjisë ukrainase “Naftogaz””, Yuriy Vitrenko, shkruan Guardian.

Ai shtoi se ngrohja në shtëpi në sezonin e ardhshëm të ngrohjes do të jetë midis 17 dhe 18 gradë Celsius, që është rreth 4 gradë më pak se normalja, me Vitrenko që këshillon njerëzit që të rezervojnë batanije dhe rroba të ngrohta gjatë periudhës kur temperaturat jashtë bien nën -10 gradë në periudhën e dimrit.

Drejtori i “Naftogaz” shton se e gjithë kjo varet nga aleatët ndërkombëtarë, të cilët duhet t’i sigurojnë Ukrainës fonde për të importuar 4 miliardë metra kub gaz natyror. Në të njëjtën kohë, në dimrin e ardhshëm, Rusia do të duhet të përmbahet nga sulmet në infrastrukturën e gazsjellësit në Ukrainë ose të zvogëlojë rrjedhën e gazit në Evropë.

Pa ndihmën perëndimore, thotë Vitrenko, do të na mungojë gazi, që do të thotë mbyllje e sistemeve të furnizimit. Ai shton se do të ketë kufizime në pjesë të mëdha të Ukrainës pa importuar gaz natyror nga jashtë.

Përndryshe, Ukraina aktualisht prodhon rreth 60 për qind të gazit natyror që i nevojitet vendit, ndërsa sasitë e mbetura importohen nga vendet anëtare të BE-së me çmimet e tregut. Autoritetet ukrainase ndaluan blerjen e gazit nga Rusia në vitin 2014, por problemi është se gjysma e fushave të gazit të Ukrainës ndodhen në rajonin e Kharkivit, afër vijës së frontit ushtarak, duke i bërë ato objektiv për sulmet nga ushtria ruse. Nëse ata ose depot e gazit natyror në vend sulmohen, atëherë Ukraina do të duhet të importojë edhe më shumë gaz në periudhën e ardhshme.

Autoriteteve ukrainase aktualisht u duhen rreth 10 miliardë dollarë për të importuar gaz natyror nga jashtë. Megjithatë, kjo sasi mund të rritet edhe më shumë, duke marrë parasysh faktin se çmimet e tregut të gazit në bursat evropiane mund të rriten ende për shkak të manipulimeve të Rusisë në drejtim të dërgesave të gazit.

Autoritetet ukrainase po përgatisin pajisje emergjente për qytetarët, në rast të shkatërrimit të infrastrukturës së gazsjellësit. Një ndihmë e tillë përfshin gjeneratorë me naftë, ngrohës uji të lëvizshëm dhe pajisje të tjera për rreth 200.000 qytetarë të Ukrainës. Megjithatë, Vitrenko shton se nëse infrastruktura e gazsjellësit të qyteteve të mëdha si Kievi apo Kharkiv goditet nga granatimet ruse, pajisje të tilla emergjente nuk do të jenë të mjaftueshme për qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button