Joseph: “Ballkani i hapur” ka “implikime të rrezikshme” për rajonin

Rreziqet e një Ballkani të Hapur nuk janë kuptuar mirë, megjithëse ato janë të qarta për shumë njerëz në Ballkan. Si shumë në rajon, edhe unë shoh dinamikë në atë prizëm, veçanërisht pretendimin e nacionalizmit serbomadh, të cilin sot e promovon presidenti Aleksandar Vuçiq dhe delegatët e tij nën flamurin e “Botës serbe”, e vlerëson analisti ballkanik Edward P. Joseph për DW nismën Open Balkans, e cila mbështetet nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Ai nënvizon se nisma e Ballkanit të Hapur nuk është vetëm shpërqendrim nga problemet thelbësore në rajon – të cilat janë politike – por në fakt rrezikon t’i përkeqësojë ato probleme politike.

Problemet me Ballkanin e Hapur Joseph i përmbledh në mënyrën si vijon: “teori e dyshimtë; konstruktim naiv; implikime të rrezikshme”.

“Le të fillojmë me teorinë e nënkuptuar në thelbin e “Ballkanit të Hapur”: “tregtia është e barabartë me besimin” (ky është përshkrimi im). Fatkeqësisht, kjo teori rrëzohet në realitet. Vetëm shikoni agresionin e shfrenuar rus kundër Ukrainës. Deri më 24 shkurt, Rusia dhe Ukraina kishin një tregti të madhe, me vlerë pothuajse 10 miliardë dollarë në vlerë të kombinuar eksport-import. Aktualisht, Kina po kryen stërvitje agresive ushtarake kundër Tajvanit – një vend që eksporton mallra në vlerë prej 273 miliardë dollarësh në Kinë, përfshirë gjysmëpërçuesit kritikë. Kina është partneri tregtar numër një i Tajvanit, duke zënë një të tretën e tregtisë së saj”, thotë Edward P.Joseph.

Sipas teorisë së Ballkanit të Hapur, beson Joseph, të gjitha këto vende duhet të jenë në paqe. Përkundrazi, ata janë ose në luftë, ose në prag lufte. Mbështetësve të Ballkanit të Hapur duhet t’u kërkohet ta shpjegojnë këtë.

Nëse autokracitë, veçanërisht ato si Rusia, Kina dhe, po, Serbia nën Aleksandar Vuçiqin, “të cilët kanë ambicie territoriale dhe politike dhe destabilizojnë fqinjët e tyre, po udhëheqin tregtinë, atëherë ju keni mosbesim në rritje, jo besim”.

“Konsideroj se është domethënëse për një arsye kryesore: konfirmon një realitet që mbështetësit e Ballkanit të Hapur e injorojnë: opozitën e fortë. Nuk ka rëndësi se çfarë mendimi keni për Gjukanoviqin, për Albin Kurtin, apo për liderët boshnjakë apo kroatë që kanë shqetësime të ngjashme. Ajo që është e rëndësishme është se ka një kundërshtim të fortë ndaj nismës për të cilën mbështetësit pretendojnë se “ka të bëjë vetëm me krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e ekonomisë”. Mbështetësit e Ballkanit të Hapur duhet të pyesin veten: “Pse ka një kundërshtim të tillë ndaj nismës sonë të supozuar beninje?” Pse dikush do ta kundërshtonte këtë?”, tha Joseph.

Të shtrosh pyetjen. thotë ai, do të thotë të përgjigjesh: Nëse ka kaq shumë kundërshtime, atëherë iniciativa nuk mund të jetë tërësisht beninje. Duhet të ketë shqetësime legjitime. Mbështetësit,nënvizon Joseph, duhet të dëgjojnë kundërshtimet e skeptikëve në rajon, në vend që thjesht t’i shtyjnë ata të pranojnë këtë iniciativë.

“Serbia gjithmonë do të përfitojë më shumë se të tjerët. Ky është një tjetër nga gabimet thelbësore të “Ballkanit të Hapur”. Përkrahësit flasin sesi të gjitha ekonomitë në rajon janë të së njëjtës madhësi dhe karakter. Nuk janë aspak të njëjta. Ekonomia e Serbisë është rreth 14 herë më e madhe se ajo e Malit të Zi, për shembull. Ekonomia e Serbisë është dy herë më e madhe se ajo e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut së bashku. Serbia gjithmonë do të përfitojë më shumë nga barrierat e hapura sesa fqinjët e saj; Serbia do të mund të prodhojë mallra me vlerë më të lartë për eksport, gjë që do ta bëjë atë edhe më dominuese”, thotë Joseph.

Kjo fuqi ekonomike, thotë ai, përkthehet në pushtet politik.

“Shikoni Gjermaninë në Bashkimin Evropian. Mos harroni se fqinjët e Gjermanisë, si Franca, ishin shumë të shqetësuar për fuqinë ekonomike gjermane, edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Franca dhe vendet e tjera evropiane nuk donin që Gjermania të kishte akses në qymyr dhe burime të tjera. Franca nuk u pajtua për një lloj “Evrope të Hapur” me Gjermaninë derisa u sigurua se marrëdhënia tregtare do të ishte nën një ombrellë gjithëpërfshirëse. Ajo strukturë u bë baza për Bashkimin Evropian që njohim sot. Gjermania konsolidoi demokracinë e saj, të cilën ne e njohim dhe e respektojmë sot. Lufta midis Francës dhe Gjermanisë tani është e paimagjinueshme. Por dhuna, madje edhe lufta, nuk është e paimagjinueshme mes Serbisë, apo përfaqësuesve të mbështetur nga Serbia, apo të tjerëve në Ballkan. T’i japësh edhe më shumë pushtet një shteti autokratik si Serbia nën Vuçiqin është e papërgjegjshme. Ndryshe do të kishte qenë nëse Serbia do të kishte qenë një demokraci e përkushtuar, duke pranuar rendin perëndimor”, vlerëson Joseph.

Joseph beson se Ballkani i Hapur e minon nismën “Procesi i Berlinit”, pasi është një iniciativë konkurruese në një rajon që tashmë ka disa entitete dhe iniciativa, duke përfshirë Procesin e Berlinit, CEFTA-n dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, për të ndihmuar në koordinimin dhe promovimin e hapave konkretë.

Lidhur me atë se çfarë mendon se e pret e ardhmja Ballkanin e Hapur, ai thotë se kjo varet nga mençuria e liderëve në rajon, SHBA dhe BE. Nëse ata e kuptojnë se sfidat në rajon – edhe problemet ekonomike – janë të natyrës politike, thotë Joseph, ata nuk do të mbështesin një regjim që përkeqëson problemet politike.

“Në analizën e saj të situatës ekonomike në Bosnje, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vë në dukje problemet politike – ngërçin e krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit. Në fakt, Bosnja dhe Hercegovina gëzon “katër liritë” e promovuara nga Open Balkans. Për më shumë se dy dekada ekziston liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Të njëjtat “pretendime magjike” për Ballkanin e Hapur u bënë për tregtinë në Bosnje dhe Hercegovinë: “pasi të mund të tregtojnë, do të përqendrohen në fitimin e parave dhe do të harrojnë të gjitha këto ndarje”. Në vend të kësaj, siç vëren BERZH, ka pengesa serioze ekonomike për shkak të Marrëveshjes së ngatërruar të Dejtonit, e cila mbështetet në ndarjen etno-territoriale të vendit dhe të drejtat e ndërlikuara politike. Kjo kërkon një strategji serioze politike, jo vetëm për Bosnje-Hercegovinën, por edhe për rajonin”, nënvizon Joseph.

Lidhur me atë se a është ndikimi i Rusisë në Ballkan një kërcënim serioz në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, ai shton se jo vetëm ndikimi rus, por edhe ai kinez dhe hungarez janë kërcënim serioz. Të gjitha ndikimet e regjimeve antidemokratike janë faktorë negativë në Ballkan.

“Çështja është të pranohet se nga vjen cenueshmëria: vetëm një vend në rajon, Serbia, refuzon rendin perëndimor për rajonin. Kjo është arsyeja pse regjimi i udhëhequr nga Vuçiq bashkon forcat me Hungarinë, Kinën dhe Rusinë”, tha Joseph.

Nisma e Ballkanit të Hapur u shfaq para tre vjetësh nga liderët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në rajon. Deri më sot, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen, duke argumentuar se nisma është e panevojshme pasi bashkëpunimi ekonomik rajonal tashmë është pjesë e agjendës së integrimit në BE dhe nismave të tilla si Procesi i Berlinit. Ky proces u krijua në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve dhe institucioneve anëtare të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shoqërisë civile dhe bizneseve në rajon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button