Ukraina shënon Ditën e Pavarësisë, gjashtë muaj luftë kundër agresionit rus

Më 24 gusht 1991 Ukraina shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik dhe sot pas 31 vitesh feston Ditën e Pavarësisë në kushte lufte. Pikërisht më 24 shkurt filloi agresioni rus ndaj Ukrainës, ndaj sot qytetarët e këtij vendi shënojnë gjashtë muaj nga mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe nga festimi spektakolar i pavarësisë vitin e kaluar, sot në Kiev janë të ndaluara tubimet masive të qytetarëve për të festuar Ditën e Pavarësisë. Autoritetet ukrainase, si dhe vendet perëndimore, kanë paralajmëruar se Rusia po përgatit një tjetër sulm ndaj kryeqytetit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij emocional para bashkatdhetarëve të tij mbrëmë tha se një komb i ri u shfaq në botë më 24 shkurt, në orën 4 të mëngjesit kur Rusia sulmoi Ukrainën, një komb që nuk frikësohet, qan dhe nuk dorëzohet.

“Cili është fundi i luftës për ne? Në të kaluarën thoshim: paqe. Tani themi: fitore”, tha Presidenti Zelenski, raporton Guardian.

Ndryshe, shumë nga banorët e Kievit u larguan dje nga kryeqyteti për shkak të paralajmërimeve se Rusia mund të sulmojë disa nga objektet kryesore qeveritare.

Ukrinform në tekstin e gjerë për fitimin e pavarësisë së Ukrainës kujton se më 1 dhjetor 1991, qytetarët e të gjithë vendit, me shumicë prej 90.32 për qind të votuesve, deklaruan se jetojnë në një vend të pavarur dhe sovran dhe miratoi Deklaratën e Pavarësisë nga BRSS.

Me rastin e festës së sotme të pavarësisë, në adresën e lidershipit dhe qytetarëve ukrainas mbërrijnë urimet e shumë presidentëve, kryeministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga e gjithë bota, me mesazhin se e gjithë bota qëndron pas sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainë. Mes mesazheve të shumta që kanë mbërritur duhen numëruar ato të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidentëve të Polonisë, Lituanisë, Finlandës, Moldavisë dhe shumë vendeve të tjera.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, me rastin e festës së Pavarësisë së Ukrainës, sot ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba dhe dërgoi urime të sinqerta me rastin e Ditës kombëtare.

“Maqedonia e Veriut, në këto kohë të vështira për sigurinë ukrainase dhe evropiane, shpreh mbështetje të fortë për Ukrainën dhe solidaritet me popullin ukrainas në luftën e tyre për të rivendosur paqen dhe për të kapërcyer pasojat e agresionit rus. Ukrainasit, duke mbrojtur atdheun e tyre, po luftojnë jo vetëm për lirinë e tyre, por edhe për lirinë e gjithë botës demokratike dhe vlerat e përbashkëta evropiane”, tha ministri Osmani.

Ndryshe, në vijën e frontit dhe në qytetet e Ukrainës, edhe gjatë festës së Pavarësisë, njerëzit vdesin në luftë. Të paktën një person ka vdekur dhe dy civilë janë plagosur nga sulmet ruse në zonat e banuara në rajonin e Donetsk, raporton Ukrinform. Qytetet dhe fshatrat në rajonet e Dnipropetrovsk, Zaporizhia, Sumy dhe Kharkiv u granatuan.

Shifrat e Zyrës së komisionerit të lartë për të drejtat e njeriut të OKB-së, që tregojnë se deri më tani janë vrarë 5.587 civilë dhe janë plagosur 7.890 persona, flasin shumë për vuajtjet e popullit ukrainas që nga fillimi i agresionit rus. . Si rezultat i pushtimit ushtarak, pothuajse 9,000 ushtarë ukrainas vdiqën në luftime dhe sulme nga forcat ruse. Mbi 12 milionë ukrainas janë zhvendosur si rezultat i agresionit ushtarak nga Rusia dhe rreth 22 për qind e të gjithë territorit të Ukrainës është i pushtuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button